Kosova

Musliu-Shoshi, Gërvallës: E dhimbshme të mos falënderohet gjaku i dëshmorëve


Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ në të cilin ka uruar Ditën e Çlirimit të Kosovës, ka përmendur ushtarët e NATO-s e KFOR-it për kontributin e dhënë për çlirimin e Kosovës, po ajo nuk përmendi pjesëtarët e UÇK-së.

Ndaj shkrimit të Gërvallës ka reaguar deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi.

Ajo është shprehur se është e dhimbshme sesi një ministre e jashtme uron popullin shqiptar për Ditën e Çlirimit, e nuk falënderon gjakun e dëshmorëve të UÇK-së.

“Nën petkun e zëvendëskryeministres dhe ministres së jashtme të Kosovës është e dhimbshme dhe e çuditshme të urosh popullin shqiptar për ditën e çlirimit pa falënderuar gjakun e dëshmorëve të UÇK-së e pa e çmuar jetën e sakrificën e atyre pjesëtareve që janë gjallë e liderëve të UÇK-së në luftë e paqe që sot padrejtësisht janë në Hagë”, ka shkruar Musliu-Shoshi.

Shkrimi i ministres Donika Gërvalla në Facebook.

Ndërsa, ka shtuar se nuk mund të pritet mbrojtja e drejtë e luftës së Ushtrisë Clirimtare të Kosovës nga një qëndrim i tillë qeverisës.

“Është fatkeqësi që me qëndrim të tillë të qeverisë presim mbrojtjen e drejtë të luftës së UÇK-së, dënimin e Serbisë për gjenocidin në Kosovë, e trajtimin me dinjitet të veteranëve”, ka shkruar Musliu-Shoshi.

Ndryshe, as edhe një fjalë të vetme nuk e ka shkruar e as përmendur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në 23 vjetorin e Çlirimit të Kosovës, ministrja e jashtme Donika Gërvalla.

Ajo zgjodhi të falënderojë Aleancën Veri-Atlantike dhe KFOR-in, dhe mjegullt të përmend “ata që dhanë jetën” për Kosovën, pa ua thënë as edhe emrin si Ushtri Çlirimtare e Kosovës, në emblemën e të cilës ishin flijuar dëshmorët e luftës në Kosovë.

Duke i ikur me çdo kusht referencës së pashmangshme të lirisë së Kosovës e cila përkthehet si tërësi në UÇK, Gërvalla shkroi se “kujtojmë edhe të gjithë ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it, të cilët kontribuan fillimisht në çlirimin e Kosovës dhe më pas në paqen dhe stabilitetin e saj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore