Kosova

As edhe një fjalë të vetme për UÇK-në, Gërvalla nderon e kujton të rënët e NATO-s


Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla

As edhe një fjalë të vetme nuk e ka shkruar e as përmendur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në 23 vjetorin e Çlirimit të Kosovës, ministrja e jashtme Donika Gërvalla.

Ajo zgjodhi të falënderojë Aleancën Veri-Atlantike dhe KFOR-in, dhe mjegullt të përmend “ata që dhanë jetën” për Kosovën, pa ua thënë as edhe emrin si Ushtri Çlirimtare e Kosovës, në emblemën e të cilës ishin flijuar dëshmorët e luftës në Kosovë.

Duke i ikur me çdo kusht referencës së pashmangshme të lirisë së Kosovës e cila përkthehet si tërësi në UÇK, Gërvalla shkroi se “kujtojmë edhe të gjithë ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it, të cilët kontribuan fillimisht në çlirimin e Kosovës dhe më pas në paqen dhe stabilitetin e saj”.

“Mrekullia e para 23 vjetëve nuk mund të arrihej pa një sakrificë të jashtëzakonshme të vet Kosovës, pa mbështetjen e të gjithë shqiptarëve anembanë botës dhe pa ndihmën e pazëvendësueshme të partnerëve tanë ndërkombëtarë”, shkroi Gërvalla.

“Në një ditë si kjo i kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, ata që luftuan pa u ndalur me përkushtim dhe sakrificë të jashtëzakonshme, të gjithë ata që kontribuuan në të gjitha format për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Fitimtarë jemi gjithmonë atëherë, kur jemi të bashkuar”.

“12 qershori duhet të na përkujtojë gjithmonë se sa i rëndësishëm është zhvillimi dhe forcimi i Republikës së Kosovës”, përfundoi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore