Lajme

Mund të jetë akt terrorist i realizuar nga një grua, sulmi në Stamboll


Një shpërthim masiv i ndodhur pranë sheshit Taksim në Stamboll, i cili i mori jetën gjashtë personave dhe plagosi 81 të tjerë, mund të jetë një akt terrorist i realizuar nga një grua.

Është ky dyshimi që kanë autoritetet turke mbi ngjarjen që tronditi mbarë opinionin botëror, në rrugën e njohur Taksim Istiklal, e cila është zonë e populluar turistike gjatë gjithë vitit.

Ka qenë zëvendëspresidenti turk, Fuat Oktay, ai i cili ka bërë me dije për mediat dyshimet e autoriteteve turke, kur është publikuar edhe një fotografi e autores së dyshuar.

Vetë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një konference për shtyp përpara fluturimit të tij për në Bali, ku do të jetë pjesë e samitit të vendeve të G20, tha se “aroma e terrorizmit po ndihej në ajër”.

“Kushdo që mendon se do ta kapë Turqinë me vepra terroriste, e ka përpjekje të dështuar”, tha ai. “As sot, as nesër, Turqia nuk do të ndalet përballë këtyre sulmeve, ashtu sikundër në të shkuarën nuk është ndalur”.

Një hetim i posaçëm mbi ngjarjen është ngritur ndërkohë, duke hetuar çdo pistë të mundshme. Por, ajo çfarë dyshohej në fillim, duket tashmë e paevitueshme dhe ka të bëjë me një prapavijë terroriste ndaj civilëve të pafajshëm.

Çfarë ndodhi?

Gjashtë persona kanë mbetur të vdekur dhe 81 të tjerë kanë mbetur të plagosur nga një shpërthim masiv i ndodhur në Stamboll pasditen e 13 nëntorit, ku veprimet e para hetimore janë të orientuara drejt një sulmi me prapavijë terroriste.

Shifrat i ka bërë me dije fillimisht guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaja, i cili ka shpjeguar shkurtimisht edhe situatën aktuale, në rrugën Istaklal, ku shpërthimi ndodhi, duke thënë se katër persona kishin humbur jetën.

“Të plagosurit por trajtohen momentalisht dhe hetimet po kryhen. Ndërsa, i lutemi publikut të tregojë durim, për të marrë përditësimet e fundit zyrtare mbi ngjarjen”, shkroi ai në median e tij sociale Twitter.

Më pas, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e dënoi sulmin dhe bëri me dije se numri i viktimave kishte shkuar në gjashtë.

Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 16:20 të pasdites, në distriktin e Beyoglu. Një zonë kjo tepër turistike dhe me shumë lëvizje përgjatë gjithë orëve të ditës.

Fillimisht, një shpërthim i fuqishëm u dëgjua në një prej rrugëve, përkatësisht atë Taksim Istiklal dhe një kaos i menjëhershëm u zhvillua në zonë, për shkak të panikut të qytetarëve.

Policia, zjarrfikësit dhe ambulanca shkuan menjëherë në vendngjarje për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe aty u përballën edhe me tragjedinë.

Mediave, sipas raportimeve lokale, iu ndalua të afrohen në zonën e goditur dhe përditësimet me lajme janë bërë vetëm në rrugë zyrtare.

Nga ana tjetër, nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm u bë me dije se ky akt po hetohej si një sulm terrorist, por e la të hapur çdo rrugë të mundshme.

Ndërsa, ndihma, vijon ende të jepet në vendngjarje, si edhe po mblidhen dëshmitë e të pranishmëve.

Në vitin 2016, një akt i ngjashëm pati ndodhur në po të njëjtën rrugë, të mbushur me dyqane e pazare, ku një person ka hedhur veten në erë me eksploziv, në një ngjarje që asokohe u arsyetua si sulm terrorist.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore