Lajme

MPJ e Gjermanisë: Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Serbi pati frikësim të votueseve e blerje votash


Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë përmes një reagimi në platformën X ka njoftuar se në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale dhe krahinore që u mbajtën të dielën në Serbi, kishte frikësim të votuesve dhe blerje të votave.

“Serbia ka votuar por Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut në kuadër të OSBE-së ka raportuar për keqpërdorim të burimeve publike, frikësim të votuesve dhe raste të blerjes së votave. Kjo është e papranueshme për një vend i cili ka statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian”, thuhet në reagim.

Ndërsa Koalicioni opozitar pro-evropian “Serbia kundër dhunës” pretendoi se Partia Progresive e Serbisë (SNS) fitoi vetëm rreth 21 mijë vota më shumë në zgjedhjet lokale në Beograd, derisa ka denoncuar votuesit ilegalë të ardhur nga pjesë të ndryshme të vendit për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore të Serbisë të mbajtura të dielën.

“Duke pasur parasysh se më shumë se 40 mijë  persona pa vendbanim të ligjshëm u sollën në Beograd në mënyrë të organizuar për të mbështetur listën e SNS-së e cila ndryshoi në mënyrë drastike vullnetin elektoral të qytetarëve të Beogradit, ne kërkojmë anulimin e zgjedhjeve në Beogradi dhe përsëritje të votimit”, ka thënë Mirosllav Aleksiç, njëri nga liderët opozitarë.

Opozita, pas përfundimit të ditës së zgjedhjeve, lëshoi një thirrje në drejtim të qytetarëve të Beogradit që të protestojnë kundër, siç pretenduan ata, “vjedhjes së vullnetit elektoral”, ndërsa po ashtu kërkuan “pastrimin e listës zgjedhore”.

Gjatë kësaj të hënë, një numër i madh qytetarësh kanë protestuar në qendër të Beogradit, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve lokale të mbajtura në kryeqytetin serb më 17 dhjetor.

Edhe vëzhguesit nga Qendra e Pavarur për Kërkime, Transparencë dhe Përgjegjësi (CRTA) shprehën “shqetësimin e thellë ” për rastet e transferimit të organizuar të votuesve të paligjshëm të dielën nga vendet e tjera në qendrat e votimit në kryeqytetin serb. CRTA raportoi gjithashtu raste kur votuesve u jepeshin para për të votuar për partinë në pushtet.

Sipas rezultateve preliminare të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), partia në pushtet – Partia Progresive Serbe (SNS) – ka fituar mbi 46 për qind të votave (rreth 129 mandate), bazuar në mbi 65 për qind të mostrave të përpunuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore