Shqipëria

Misioni shqiptar në OKB falënderon ambasadën amerikane: WPS-ja – prioritet kryesor


Përmes një statusi në Twitter, misioni shqiptar në Kombet e Bashkuara, ka falënderuar diplomacinë amerikane në Tiranë.

“Faleminderit Ambasada Amerikane në Tiranë, për urimet tuaja të ngrohta”, shkruan fillimisht përfaqësia shqiptare.

Në vijim, ajo deklaron se mezi pret të bashkëpunojë ngushtësisht me misionin amerikan në Këshillin e Sigurimit (KS) të Kombeve të Bashkuara.

Kjo, në mbështetje të paqes dhe sigurisë në mbarë botën dhe në mbështetje të parimeve dhe vlerave që mbështesin partneritetin tonë strategjik.

Më tej, ka qenë përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë në KS, Ferit Hoxha, i cili ka theksuar se prioriteti kryesor i Shqipërisë do të jetë agjenda WPS (Gratë, paqja dhe siguria).

“Ne duartrokasim Predikimin e Vitit të Ri e Papa Françesku-t”, ravijëzon Hoxha.

Ati i Shenjtë lavdëroi, sipas përfaqësuesit shqiptar, angazhimin e grave për të promovuar paqen në botë, duke e barazuar dhunën ndaj grave me një ofendim kundër Zotit.

Në urimet e tij të Vitit të Ri drejtuar botës, Papa Françesku i inkurajoi njerëzit që të përqëndrohen në të mirën që i bashkon.

Françesku dënoi dhunën ndaj grave, ndërsa pranoi se pandemia e coronavirus-it ka lënë shumë njerëz të frikësuar, ndërsa luftojnë mes pabarazisë ekonomike.

Përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë në KS, Ferit Hoxha
Reagimi i ambasadës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, uroi të shtunën e 1 janarit Shqipërinë për anëtarësinë e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara.

Në postimin e tyre në median sociale Twitter, ambasada e cilëson këtë moment “një arritje të jashtëzakonshme”.

“Shtetet e Bashkuara presin të shërbejnë së bashku me Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për të trajtuar sfidat më të ngutshme me të cilat përballet sot bota jonë”, nënvizon njoftimi i diplomacisë amerikane.

Urimi i Xhaçkës

Më herët, ishte ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila uroi nëpërmjet një videomesazhi në Facebook, hyrjen e vitit të ri 2002.

Kjo, duke zyrtarizuar kështu edhe fillimin e rrugëtimit dy-vjeçar të Shqipërisë në KS, si anëtare jo e përhershme e tij.

Dita e parë për Xhaçkën, duhet të nisë me një ndjenjë krenarie për gjithë shqiptarët.

Në veçanti, për ata të cilët jetojnë në Kosovë, pasi me këtë detyrë që Tirana zyrtare merr, do t’i jepet mundësia të lobojë më shumë për njohjen e Prishtinës ndërkombëtarisht.

“Është një kauzë e shenjtë për ne”.

Kështu e përkufizoi kryediplomatja shqiptare çështjen e Kosovës. Teksa, ajo garantoi se Shqipëria nuk do të lejojë përshkallëzim konfliktesh në rajon apo destabilizim.

Këshilli i Sigurimit

Delegacioni shqiptar në New York, merr sot zyrtarisht detyrën në tryezën me 15 aktorë botërorë.

Shqipëria do të ketë mundësi jo vetëm të përqasë frymën e saj diplomatike, por të të gjithë rajonit që përfaqëson.

Pranimi thuajse unanim i vendit në këtë strukturë, është edhe një ndër arritjet më të mëdha për diplomacinë shqiptare, jo vetëm gjatë vitit 2021, por në gjithë historinë moderne të shtetit.

Këshilli i Sigurimit është ndër organet më të rëndësishme të OKB-së, që ka për detyrë mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në mes të kombeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore