Lajme

Miratohet në PE, Certifikata e re për Covid-19


Të enjten e 29 prillit, Parlamenti Evropian miratoi pozicionin e tij negociues mbi propozimin e një certifikate për të rikthyer të drejtën e lëvizjes së lirë në Evropë gjatë pandemisë.

Deputetët e Evropës ranë dakord për “certifikatën e re të BE-së COVID-19”, në vend të Certifikatës së Gjelbër Dixhitale, siç u propozua nga Komisioni. Kjo certifikatë duhet të jetë në fuqi për 12 muaj dhe jo më gjatë.

Dokumenti, i cili mund të jetë në format digjital ose letër, do të vërtetojë se një person është vaksinuar kundër coronavirus-it. Ose se ka një rezultat negativ nga testi i fundit ose është rikuperuar nga infeksioni. Sidoqoftë, certifikatat e BE-së COVID-19 nuk do të shërbejnë as si dokument udhëtimi dhe as nuk do të bëhen parakusht për të ushtruar të drejtën e lëvizjes së lirë, thonë eurodeputetët.

Propozimi legjislativ që mbulon shtetasit e BE-së u miratua me 540 vota pro dhe 119 abstenime, ndërsa ai për shtetasit e vendeve të treta kaloi me 540 vota pro dhe 80 abstenime. Votimi u zhvillua të mërkurën, me rezultatet që u njoftuan të enjten në mëngjes. Si Parlamenti ashtu edhe Këshilli Evropian janë tani të gatshëm të fillojnë negociatat. Qëllimi është të arrihet një marrëveshje përpara sezonit turistik veror.

Pa kufizime shtesë të udhëtimit dhe teste falas COVID-19

Mbajtësit e një certifikate të BE-së COVID-19 nuk duhet t’i nënshtrohen kufizimeve shtesë të udhëtimit, të tilla si karantina, vetë-izolimi ose testimi, sipas Parlamentit. Eurodeputetët theksojnë gjithashtu që, për të shmangur diskriminimin ndaj atyre që nuk janë vaksinuar dhe për arsye ekonomike, vendet e BE-së duhet të “sigurojnë testime universale, të arritshme, në kohë dhe falas”.

Parlamenti dëshiron të sigurojë që certifikata e BE-së të funksionojë së bashku me çdo iniciativë të ngritur nga vendet anëtare, e cila gjithashtu duhet të respektojë të njëjtën kornizë të përbashkët ligjore.

Shtetet anëtare duhet të pranojnë certifikatat e vaksinimit të lëshuara në vendet e tjera anëtare për personat e inokuluar me një vaksinë të autorizuar për përdorim në BE nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) (aktualisht Pfizer-BioNTech, Moderna, AstraZeneca dhe Janssen), thonë eurodeputetët.

Do të jetë në dorën e shteteve anëtare të vendosin nëse ata gjithashtu pranojnë certifikata vaksinimi të lëshuara në vendet e tjera anëtare për vaksinat e listuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për përdorim emergjent.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore