Lajme

Miratohet koncepti për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë


Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e të mërkurës ka miratuar Koncept-dokumentin për themelimin e mekanizmit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes theksoi se kanë kaluar 22 vite pas luftës dhe adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës është shumë larg prej asaj që ne duam e na duhet.

“Nuk mund të zhbëjmë të kaluarën e as ta kthejmë kohën mbrapa për të adresuar krimet që duhej të ishin adresuar kohë më parë, por mund të bëjmë më të mirën në rrethanat në të cilat jemi”.

“Shkeljet e rënda të drejtave të njeriut, krimet e luftës, do të trajtohen nga mekanizimi për dokumentimin e krimeve të kryera”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, ka shtuar se koncept-dokumenti rekomandon themelimin e mekanizimit me anë të një ligji të veçantë.

“Ky mekanizëm do ti kontribuojë realizimit të së drejtës së viktimave dhe shoqërisë për të ditur të vërtetën”.

Krimet serbe në Kosovë.

Sipas Kurtit, “dokumentimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë do ti shërbej edhe edukimit të ngritjes së vetëdijes që vendi unë dhe rajoni kurrë mos të shoh më përsëritjen e dhimbshme të krimeve të kryera”.

Më 16 maj të vitit 2019, Kuvendi i Kosovës, kishte miratuar rezolutën që e fajëson Serbinë për gjenocid.

Për hartimin e kësaj Rezolute kanë punuar përfaqësuesit e të gjitha partive politike përveç grupit të Listës Serbe dhe rrjedhimisht partitë politike kanë shprehur gatishmërinë e tyre për mbështetje njëzëri të Rezolutës.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.

Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore