Lajme

Ministria e Shëndetësisë njofton se në vikend nuk do të vaksinohen qytetarët


Ilustrim

Ministria e Shëndetësisë, ka njoftuar se procesi i vaksinimit kundër virusit COVID-19, nëpër qendrat e vaksinimit po bëhet vetëm gjatë ditëve punës.

Sipas MSH-së, qendrat e vaksinimit kanë përmbushur planet e tyre, andaj ato do të punojnë vetëm gjatë ditëve të punës.

“Ministria e Shëndetësisë u rikujton qytetarëve dhe publikut se pas përmbushjes së planit pesë javor që të vaksinohet edhe ditëve të vikendit dhe me intensifikimin e punës së ekipeve mobile për vaksinim kundër COVID-19, prej tre javësh, qendrat e vaksinimit punojnë vetëm gjatë ditëve të punës”, thuhet në njoftimin për media.

Sipas tyre, vaksinimi i një numri të konsiderueshëm të qytetarëve me dozën e parë dhe të dytë të vaksinës kundër COVID-19 dhe situata epidemiologjike më e qetë “ka ndikuar që edhe kërkesat për vaksinim gjatë muajit tetor të jenë në trend të ulët, ndërsa ekipet e vaksinimit gjatë pesë ditëve të punës ja kanë dalë që pa asnjë problem t’i përgjigjen çdo kërkese për vaksinim”.

MSH-ja iu ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19, dhe gripit sezonal.

“Ministria e Shëndetësisë njofton se numri i vaksinave kundër COVID-19, ashtu edhe kundër gripit sezonal është i mjaftueshëm, prandaj inkurajohen qytetarët që duhet vaksinuar që t’i shfrytëzojnë oraret e përcaktuara gjatë pesë ditëve të punës brenda javës dhe të vaksinohen”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Po ashtu MSH, ka njoftuar se ka doza të mjaftueshme të vaksinës kundër gripit sezonal.

“Gjithashtu, duke qenë që gjatë javës që po mbetet pas ka filluar vaksinim edhe kundër Gripit sezonal, pas arritjes në Kosovë të 140.000 vaksinave kundër gripit sezonal, vaksinimi i kategorive që vaksinohen më këtë vaksinë bëhet gjatë pesë ditëve të javës në Qendrat e Mjekësisë Familjare”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkaq, gjatë ditës së shtunë në Kosovë janë raportuar 25 raste të reja me COVID-19, dhe asnjë i vdekur.

Numri i të vaksinuarve brenda 24 orëve të fundit është gjithsejtë 7 mijë e 716.

Numri i të vaksinuarve me vetëm dozën e parë të vaksinës anti-COVID është gjithsejtë 841 mijë e 282 ndërsa numri i të vaksinuarve me të dy dozat është gjithsejtë 724 mijë e 969

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore