Kosova

Ministria e Shëndetësisë jep instruksione se si duhet mbrojtur nga gripi sezonal


Ilustrim

Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi në Facebook, ka dhënë disa instruksione se si duhet mbrojtur nga gripi sezonal, pasi që një numër i madh i qytetarëve kanë kërkuar ndihmë mjeksore si pasoj i këtij gripi që ka kapluar Kosovën javët e fundit.

Mes tjerash, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen, të mbajnë maskë dhe nëse kanë shtenja të gripit të kërkojnë ndihmë mjekësore e po ashtu të mbajnë distancë së paku një metër.

Evitimi i qëndrimit në vende të mbyllura të mbingarkuar me njerëz si dhe reduktimi i vizitave familjarëve të hospitalizuar sipas Ministrisë janë disa nga mënyrat se si qytetarët mund të mbrohen nga infektimi me gripin sezonal.

Ilustrim

“Mbuloni gojën dhe hundën me maskë. Nëse keni shenja të gripit mbani distancë të paktën 1 metër prej njerëzve të tjerë. Shmangni prekjen e syve hundës apo gojës me duar të pa pastruara. Nëse keni shenja të gripit, mos shkoni në punë, shkollë apo vende me shumë njerëz, por qëndroni në shtëpi. Pastroni rregullisht duart me ujë dhe sapun dhe dezinfektoni ambientin ku qëndroni. Ushqehuni shëndetshëm duke përdorë më shumë vitamina dhe bëni aktivitet fizik”, janë disa nga udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë.

Brenda dy muajve, mbi 15 mijë persona janë prekur nga gripi sezonal në Kosovë.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) deri më 17 dhjetor, nga 15,786 raste me grip, 2,498 janë cilësuar si infeksione respiratore akute dhe 69 me infeksion të rëndë respirator akut.

Gripi sezonal është një infeksion akut viral, i cili përcillet direkt nga një person i sëmurë te tjetri përmes stërpikave gjatë kollitjes ose teshtitjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore