Kosova

Ministria e Ekonomisë dërgon komente në ZRRE, pragu i ngritjes së çmimit të rrymës të jetë mbi 800 kWh


Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të mërkurën e dy shkurtit ka publikuar dy alternativat të cilat i ka dërguar dikasteri të cilën ajo e udhëheq në drejtim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, ku me ç’rast është propozuar ndryshimi i pragut të bllokut nga 600 kilovatë orë në 800 kilovatë orë.

Pra sipas këtij propozimi të Ministrisë së Ekonomisë, shtrenjtimi i energjisë elektrike nuk do të ndodhë për të gjithë amvisëritë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë orë gjatë një muaji.

Propozimi i dytë të cilën e ka dërguar ky dikaster në formë të komentit në ZRRE, parasheh shtimin e numrit të blloqeve tarifore që do të mundësonte përshkallëzimin e tarifave nëpër blloqe.

“Kemi kërkuar nga ZRRE që si autoritet i pavarur që në mandatin e tij ka mbrojtjen e konsumatorit, të sigurohet që gjatë shqyrtimit tarifor të shmangë ndërsubvencionimin dhe diskriminimin në mes të kategorive të konsumatorëve”, ka shkruar Rizvanolli në një postim në Facebook.

Hekuran Murati

Ndryshe një ditë më parë edhe Ministria e Financave ka dërguar komente në drejtim të ZRRE-së, ku njëra prej tyre parashihte që ngritja e çmimit të energjisë elektrike të mos aplikohet për ata që shpenzojnë deri në 1 mijë kilovatë orë.

Kjo 1 mijë kilovatë orë sipas Muratit do të jetë i ndarë në 500 kilovatë orë gjatë ditës dhe 500 kilovatë orë gjatë natës.

“Për ata familje që nuk e tejkalojnë këtë prag nuk do të ketë farë ekspozim ndaj rritjeve në çmim”, kishte thënë Murati.

Ndërsa për ata që e tejkalojnë këtë prag propozimi Ministrisë së Financave është që edhe kur tarifa e lartë kalohet mbi 500 kilovatë orë çmimi i saj të ulet nga 14 centë në 11 centë e gjysmë, pra që edhe këtu të ketë një zbritje.

“Meqenëse konsiderojmë se për një afat kaq të shkurtër është e vështirë për familjet të përshtaten menjëherë dhe për 1 mijë kilovatë orët çmimi të mbetet i pa ndryshuar”, kishte shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore