Lajme

Mexhiti pasi “VLEN” humbi zgjedhjet: Do jemi pjesë e Qeverisë – përfaqësojmë votën e pastër shqiptare


Liderët e koalicionit "VLEN": Izet Mexhiti, Afrim Gashi, Bekim Qoku dhe Afrim Taravari

Ndonëse i humbën zgjedhjet nga “Fronti Evropian” në taborin shqiptar me një diferencë prej 30 mijë votash, njëri nga liderët e koalicionit “VLEN”, Izet Mexhiti, ka thënë se “ne do të jemi zëri i shqiptarëve në Qeverinë e re, sepse ne jemi përfaqësuesit e votës së pastër shqiptare”.

Këto komente, Mexhiti i ka bërë përmes një postimi në Facebook, ku janë numëruar afër 100 për qind të votave të përgjithshme, ku koalicioni ku Mexhiti bënë pjesë ka siguruar 13 deputetë, 6 më pak se “Fronti Evropian”

“Të nderuar përkrahës të koalicionit VLEN. Jemi shumë, jemi 107 mijë”, ka shkruar Mexhiti, derisa ka falënderuar “nga zemra për këtë mbështetje rekorde, historike për opozitën shqiptare!”.

“Me këtë mbështetje, nga gjithë qytetet e fshatrat, ju e vulosët fitoren absolute në kampin politik shqiptar, me çka na e dhatë legjitimitetin e plotë për t’ju përfaqësuar!”, shtoi.

Plani VLEN 2030, theksoi Kryetar i Lëvizjes Demokratike, “tani është synimi jonë, si pjesë e Qeverisë së re”.

“Idetë e projektet konkrete për të mirën e qytetarëve tani janë preokupimi ynë i përditshëm”.

Në vlerësimin e Mexhitit, “beteja u fitua”, derisa potencoi se “nuk do ta tradhtojmë besimin qytetar asnjëherë, për asnjë çmim”.

“Sepse shqiptari VLEN”, përfundoi ai.

Siljanovska Presidente e re e RMV-së, VMRO merr 58 deputetë, “Fronti Evropian” 19, LSDM 18, “VLEN 13

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore