Shqipëria

Meta uron Krishtlindjen: Të mos harrojmë se secili prej nesh ka mundësinë të jetë një shembull i përkryer i dashurisë


Përmes një statusi në median sociale Facebook, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka uruar besimtarët katolikë dhe ortodoksë për Krishtlindjen.

“Nga zemra u uroj sonte Gëzuar Krishtlindjen besimtarëve të krishterë dhe mbarë popullit shqiptar!”, pikësnis urimi i Metës.

Për presidentin, mesazhi i përjetshëm i dashurisë, i dritës që nuk shuhet kurrë dhe i shpresës së pakufishme të kësaj feste, që na bashkon të gjithëve, prek dhe ngroh zemrat tona, duke sjellë më shumë lumturi dhe gëzim në çdo vatër familjare, na jep forcë përballë sfidave aktuale, na mbush me shpresë për ditët më të mira që ende nuk kanë ardhur.

Në vijim të urimit, Meta shkruan se lindja e Krishtit i jep kuptim jetës brenda nesh dhe besimit për një të nesërme më të mirë, në paqe, dashuri dhe mirëqenie, na frymëzon e na bën më solidarë që të mos i harrojmë, të kujdesemi dhe t’u zgjasim dorën me përulësi atyre që kanë nevojë për përkrahje dhe mbështetje materiale dhe shpirtërore.

“Ndërsa familjet dhe miqtë mblidhen sonte për të festuar, të mos harrojmë se secili prej nesh ka mundësinë të jetë një shembull i përkryer i dashurisë, në rrugën drejt shpresës, besimit për një jete të bukur, një familje të bekuar, një shoqërie të paqtë e të shëndetshme!”, nënvizon presidenti.

Meta e përmbyll mesazhin e tij të Krishtlindjes duke uruar “për shumë mot Gëzuar Krishtlindjen”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore