Lajme

Megjithatë, Greqia “nuk do ta njohë Kosovën”


Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis dhe Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka konfirmuar edhe një herë se Greqia nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj karshi çështjes së Kosovës.

Këto komente, Mitsotakis, i ka bërë gjatë një takimi me Ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili gjendet për një vizitë zyrtare në Athinë, shkruan agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

Ndërkohë, qëndrimit të Mitsotakis i është gëzuar Vulin, i cili ka thënë se “është mirënjohës ndaj tij, për një qëndrim të tillë”.

“Unë jam veçanërisht mirënjohës ndaj kryeministrit Mitsotakis që më ripohoi se qëndrimi i tij dhe i qeverisë greke për njohjen e Kosovës, nuk do të ndryshojë”.

“Greqia nuk do ta njohë Kosovën, Greqia do të mbetet në pozicionet e së drejtës ndërkombëtare dhe mbështetje të fortë për Serbinë”, tha Vulin pas takimit.

Ndryshe, së fundmi, pas vizitës zyrtare të Albin Kurtit në shtetin grek dhe deklaratave të tij rreth përmirësimit të raporteve mes dy vendeve, kanë qarkulluar shumë aludime rreth një njohjeje të mundshme të Pavarësisë së Kosovës nga Greqia.

Madje, mediumi serb “Novosti” që është i afërt me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pati raportuar se Greqia po ia përgatitë një “thikë pas shpine Serbisë”, pasi ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, në një intervistë për gazetën greke “Real News” është pyetur rreth qëndrimit të qeverisë së tij për mundësinë e njohjes së Kosovës dhe ka dhënë një përgjigje të tërthortë, duke argumentuar pro legjitimitetet të shtetësisë së Kosovës.

“Sa i përket legjitimitetit të një njohjeje të mundshme, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë vendosi në 2010 që deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte ligjin ndërkombëtar, pasi nuk ishte produkt i një përdorimi të paligjshëm të forcës të dënuar nga Këshilli i Sigurimit”, pati thënë Dendias.

Se do ta donte një njohje nga Greqia, e ka theksuar edhe vetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e ka vlerësuar mbështetjen e Greqisë si dhe peshën e saj në sferën politike në rajon.

Kyriakos Mitsotakis dhe Albin Kurti.

“Ne e vlerësojmë mbështetjen e Greqisë, dhe duke pasur parasysh peshën rajonale të saj ne do ta mirëprisnim vendimin për njohjen e Kosovës”, ishte shprehur kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një intervistë për mediet greke.

“Njohja do të ishte dëshmi thelbësore e rolit rajonal të udhëheqjes që Greqia duhet të luajë”.

Edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikolla Selakoviç, i cili i pyetur rreth një ndryshimi të mundshëm për pozicionin e Greqisë mbi pavarësinë e Kosovës, kishte theksuar se ai “dëshiron të besojë” se Greqia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Flamuri i Republikës së Kosovës.

Gjithsesi, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë në vitin 2010, bëri publik mendimin rekomandues për Kosovën ku thuhet se – “Deklarata e Pavarësisë është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore