Shqipëria

“Më shumë qytetari e meritokraci, më pak letargji e burokraci”


Kryeministri i Shqipërisë dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë fjalës së tij hapëse në Asamblenë Kombëtare të PS-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka hapur zyrtarisht Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, duke theksuar se mandati i tretë ka qenë më e vështira e arritur ndonjëherë nga çdo parti në vend.

Ndërsa moton e këtij mandati, kryeministri e artikuloi qartësisht: “Më shumë qytetari e meritokraci, më pak letargji e burokraci”.

Për Ramën, vetëm fakti se PS-ja është e para që e arrin këtë mandat, e tregon vështirësinë e vërtetë të saj.

“Në politikë, fitoret meritohen vetëm pasi arrihen”, tha kryeministri. “Kjo është mundësia për t’u rikthyer zgjedhësve kredinë e lartë të përfaqësimit të fituar”.

Ndër të tjera, ai shton se duhet forcë e re për ta ngjitur Shqipërinë më lart. Ndërsa vetëpëlqimi, nuk është opsion.

Dyert e çdo institucioni duhet të jenë të hapura për çdokënd sipas kreut të Qeverisë. Duhet të jenë të hapura për të gjithë ata që e meritojnë. Ndërsa, vullneti duhet gjetur për të korrigjuar gjithçka që është konstatuar se nuk shkon.

Sakaq, mesazhet ndaj njerëzve, nuk duhet të jenë me fjalë, por me prani për Ramën. Kjo, sipas kryeministrit, e bën PS-së forcën që është.

Një forcë që nuk zgjohet kur vijnë zgjedhjet, por që energjizohet gjatë gjithë kohës. Kjo, ndryshe nga partitë e tjera shqiptare, të cilat kanë qenë në pushtet, dhe kanë ndaluar punën.

“Partia transformohet në një komunitet të gjallë vlerash shoqërore”, vlerësoi ai. “Kurrsesi nuk mund të vetëkënaqemi në një rreth vicioz”.

Fati i Ramës, ashtu si artikulohet nga vetë ai, është të shkruajë historinë. Detyra: Ta kalojë atë te brezat e mëpasshëm.

Kryeministri u artikulua edhe mbi modelin e votimit në Shqipëri. Kryesisht, mbi atë të votës me bazë traditë familjare. Kjo, sipas tij, i bën shqiptarët indiferentë. Ndërsa partitë e humbasin funksionin e vet.

Humbja e vërtetë në këtë skenar shkon për demokracinë dhe barra për shoqërinë.

Jo peng e të konsumuarve

Në fjalën e mbajtur, tone të ashpra nga Rama ka pasur ndaj eksponentëve – edhe të vjetër – të cilët kërkojnë thjesht të përfitojnë nga Partia Socialiste dhe nuk japin asnjë kontribut për të.

Ai u është adresuar atyre si “keqbërës”.

Kryeministri nuk ka hezituar të thotë se ka ende qasje, ku drejtorët dhe eksponentët rrethojnë kryetarin.

Një qasje që duhet domosdoshmërisht të marrë fund. Në të kundërt, ka një rrezik real se “PS-ja mund të përfundojë mes katër rrugëve, si parti të tjera të mëdha”.

Mbi punësimin, ai ka thënë se nuk është ky i fundit që duhet t’i mbajë njerëzit të lidhur me PS-në. Duhet të jenë qëllimet e përbashkëta, ato që lidhin partinë me njerëzit.

Edhe elementë socialë, takimet sociale, duhet të jenë në qendër të vëmendjes. Takimet partiake nuk duhet të shihen si mundësi për të bërë fotografi me eksponentët, por si detyrim për të qasur probleme që duhen ndryshuar.

“Nëse nuk doni që Partia Socialiste të bëhet një azil pleqsh, duhet vepruar sot!”.

Thirrja e Ramës është kjo, me ftesën për të rinjtë, që t’i bashkohen frymës dhe idealeve socialiste.

“Mos luani me nervat e njerëzve”.

Është kjo lutja përfundimtare e Ramës, që shkon për çdo eksponent të PS-së, për të mbrojtur emrin e vetëm që ka rëndësi, atë të Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore