Lajme

Me arrestimin e udhëheqësit të Xhihadit Islamik, Izraeli sigurohet në Bregun Perëndimor, por rrezikohet në Gaza


Xhihadi Islamik u kthye në titujt kryesorë të martën kur Bassam al-Saadi, kreu i organizatës në zonën e Jeninit, u arrestua në një operacion nga njësia e fshehtë e Policisë Kufitare, ku pati dhe një shkëmbim zjarri të ashpër.

Një ndihmës i Saadi u arrestua gjithashtu në bastisje dhe një 17-vjeçar u vra. Burime në Bregun Perëndimor thanë se ai ishte anëtar i një njësie të armatosur.

Incidenti shkaktoi masa të jashtëzakonshme paraprake në komunitetet izraelite pranë Gazës mes frikës për një hakmarrje të mundshme ndaj Izraelit të nisur nga Rripi, i cili kontrollohet nga Hamasi.

Një oficer i Policisë Kufitare u tha radiostacioneve izraelite se Saadi u kap pasi i rezistoi arrestimit. Videot e postuara në mediat sociale nga palestinezët treguan trupat e Policisë Kufitare duke tërhequr zvarrë Saadi, i cili është 62 vjeç dhe ka hyrë dhe dalë nga burgjet izraelite për të paktën dy dekada.

Bassam al-Saadi, kreu i Xhihadit Islamik në Jenin

Shërbimi i sigurisë Shin Bet dhe ushtria janë shqetësuar kohët e fundit nga një rritje e aktivitetit të armatosur të xhihadistëve në zonën e Jeninit, i cili është shoqëruar me një koordinim më të ngushtë me militantët nga organizata të tjera, përfshirë Tanzim të Fatahut. Në një deklaratë, Shin Bet tha se Saadi kishte qenë në paraburgim izraelit të paktën shtatë herë. Ai kreu një dënim të gjatë me burg gjatë intifadës së dytë.

Sipas Shin Bet, Saadi bëri përpjekje të mëdha kohët e fundit “për të rehabilituar aktivitetet e Xhihadit Islamik dhe për të ndërtuar një forcë të rëndësishme ushtarake për organizatën në Samari” – Bregu Verior Perëndimor.

“Ai luajti një rol vendimtar në radikalizimin e operativëve të organizatës”.

Shin Bet shtoi se “një pistoletë, eksploziv dhe sasi të mëdha parash” iu gjetën Saadit dhe ndihmësit të tij, gjithashtu një ish-i dënuar.

Në të kaluarën, militantët e Xhihadit Islamik në Rripin e Gazës i janë përgjigjur vdekjeve ose arrestimeve të pazakonta në Bregun Perëndimor verior duke gjuajtur raketa drejt Izraelit.

Masat e sigurisë që po ndërmerren sugjerojnë se inteligjenca izraelite kishte parashikuar një reagim të ngjashëm ndaj incidentit të fundit – ndoshta për shkak të imazheve të Saadi-t duke u tërhequr zvarrë në tokë.

Që nga mëngjesi i të martës, trafiku civil është bllokuar në të gjitha rrugët pranë gardhit kufitar të Gazës, si dhe hyrjet në pikat e vëzhgimit pranë kufirit. Gjithashtu, trafiku hekurudhor është pezulluar në zonën e Sderotit, ku një pjesë e trasesë është e pambrojtur ndaj raketave antitank të lëshuara nga Rripi.

Disa nga lokacionet, aksesi i të cilave u bllokua, u vunë në shënjestër të raketave antitank dhe zjarrit snajper gjatë përshkallëzimeve të mëparshme. Në të njëjtën kohë, zyrtarët e inteligjencës egjiptiane folën me liderët e fraksioneve në Rrip në një përpjekje për të shmangur dhunën e ripërtërirë. Nëse Hamasi i premton Kajros të ruajë paqen, një rikthim në rutinë në komunitetet kufitare të Izraelit ka të ngjarë para fundjavës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore