Lajme

Mbyllen 3 zyra paralele të Serbisë në Kosovë, Sveçla: Koha e paligjshmërisë ka përfunduar


Pamje nga aksioni i Policisë së Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të premten, ka njoftuar se janë mbyllur tri objekte të komunave paralele në rajonin e Dukagjinit.

Përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, Sveçla, ka shkruar se koha e paligjshmërisë ka përfunduar dhe se institucioni i vetëm i Serbisë brenda Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë.

“Pas një koordinimi të ngushtë mes Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, me urdhër të Prokurorisë, Policia sot ka zhvilluar një aksion në mbylljen e strukturave paralele të Serbisë që kanë operuar brenda Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.

Me këtë rast, në Gorazhdec është mbyllur komuna ilegale e Pejës, në Osojan komuna paralele e Istogut dhe në Videjë komuna paralele e Klinës.

“Mbesim të përkushtuar në fuqizim institucioneve të Republikës së Kosovës, në respektim të plotë të Kushtetutës sonë dhe unitaritetit të saj”.

Ndryshe gjatë aksionit të Policisë së Kosovës janë arrestuar edhe shtatë persona për veprimtari të strukturave paralele-ilegale.

Kështu të paktën ka bërë të ditur Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

“Shtatë persona janë shoqëruar në stacionet policore të njëjtit janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe me autorizimin e prokurorit të shtetit janë hapur raste penale ndaj tyre”, ka thënë Nikçi.

 

Largimi i flamurit nga ndërtesa e komunës paralele

Ndryshe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, bëri të ditur javë më parë se në fshatin Vranisht të Dragashit, ishin mbyllur katër objekte paralele serb, ku ai kishte thënë se janë lëshuar kundërligjshëm dokumente për komunën e Prizrenit, Suharekës, Rahovecit dhe Dragashit.

“Sot në fshatin Vranisht të Dragashit mbyllëm 4 komuna paralele që kanë operuar ilegalisht për gjithë këto vite. Në këtë fshat kundërligjshëm kanë vepruar dhe lëshuar dokumente për komunën e Prizrenit, Suharekës, Rahovecit dhe Dragashit”.

“Nga sot ajo më nuk operon. Republika e Kosovës është shtet unitar dhe si e tillë nuk do të lejojë asnjë paralelizëm kundërkushtetues”, thuhet në njoftimin e Krasniqit.

Mbyllën katër objekte komunale paralele në Dragash, lëshonin dokumente kundërligjshëm

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore