Gjykata Speciale

Mbrojtja e Shalës pretendon se Specialja ia shkeli të drejtat gjatë intervistimit të tij në Belgjikë


Ish eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.

Mbrojtja e ish eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, pretendon se klientit të tij iu kanë shkelur të drejtat humanitare kur është intervistuar dy herë në Belgjikë.

Një herë më 2016 dhe një herë më 2019, prandaj kjo çështje është thënë se është dërguar për konsultim me Gjykatën e Apelit, e cila ka marrë “një vendim jo krejtësisht të qartë”.

Nga parashtresën e publikuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, është thënë se Shala gjatë kohës sa është intervistuar në Belgjikë nuk iu është treguar se në çfarë cilësie po pyetet.

Gjithashtu, nuk iu është përmendur e drejta për përfaqësim ligjor falas, duke thënë se nuk është marrë parasysh as niveli i edukimit të Shalës.

“Shala argumenton se ai nuk ishte informuar siç duhet dhe në mënyrë adekuate për të drejtën e tij për t’u ndihmuar nga një avokat dhe për të drejtën për përfaqësim ligjor falas si para ashtu edhe gjatë intervistës”.

“Lidhur me këtë, Shala pohon se vlerësimi nëse i akuzuari është mjaftueshëm i informuar për këtë të drejtë kërkon aplikimin e një testi subjektiv dhe se trupi gjykues nuk ka vlerësuar se ai ka të përfunduar vetëm arsimin e mesëm të ulët”, thuhet në parashtresë.

Duke iu referuar një intervistimi të Shalës në 2019 në Belgjikë, mbrojtja thotë se “gjuha e përdorur gjatë intervistës që i referohet ‘bla bla bla-ve të zakonshme’, nuk ishte njoftim i duhur”.

Në anën tjetër, Zyra e Prokurorit të Specializuar thotë se Shala u informua siç duhet para secilit intervistim.

“Në lidhje me intervistën belge të vitit 2016, ZPS nënvizon se Shala ishte i rritur, nuk ishte i paraburgosur, kishte përvojë paraprake si i dyshuar në procedurë penale dhe kishte qasje me një përkthyes”.

ZPS-ja ka argumentuar se në kundërshtim me argumentet e Shalës, trupi gjykues me të drejtë arriti në përfundimin se atij i është dhënë mundësia për të kërkuar këshilla ligjore para dhe gjatë intervistës.

Përkundër pretendimeve të mbrojtjes, Apeli ka vendosur ta rrëzojë kërkesën e Shalës dhe ka mbyllur mundësinë e ri-apelimit.

“Si përmbledhje, edhe pse Paneli nuk pajtohet me mënyrën se si kërkesa për lidhjen shkakësore ndërmjet shkeljes së të drejtave të një të dyshuari dhe mbledhjes së provave është zbatuar nga Trupi Gjykues dhe konsideron se një kërkesë e tillë nuk parashikohet shprehimisht nga jurisprudenca e GJEDNJ, paneli nuk ka identifikuar gabim ligjor dhe rrjedhimisht hedh poshtë çështjen”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Sipas kësaj parashtrese, Shala është intervistuar dy herë në Belgjikë në cilësinë e të dyshuarit për drejtimin e një burgu të improvizuar ku supozohet se u keqtrajtuan njerëz.

Kurse deri tani janë dëgjuar 11 dëshmitarë, gjykimi ndaj Shalës pritet të vazhdojë më 19 maj.

Më 3 maj, dëshmitari i gjashtë me radhë me kodin 11 në gjykimin ndaj Shalës kishte përfunduar dëshminë e tij.

Dëshmitari gjatë kësaj seance ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes së Shalës, konkretisht të avokatit Jean-Louis Gilissen, i cili proces është zhvilluar në seancë private.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore