Kosova

Masakra e Tusuzit | Haradinaj: Dëshmi e gjallë e barbarisë serbe – s’do të ndalemi kurrë së kërkuari drejtësi


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në 25-vjetorin e masakrës së Tusuzit, ku më 26 maj të vitit 1999, forcat serbe ekzekutuan 27 shqiptarë të pafajshëm në këtë lagje të Prizrenit, deklaroi se kjo masakër, por edhe masakrat e tjera anekënd Kosovës, janë dëshmi e gjallë e barbarisë së shtetit serb mbi civilët e pafajshëm shqiptarë.

“Të vetëdijshëm se po humbin luftën, pak ditë para çlirimit, shteti serb intensifikoi terrorin ndaj popullit shqiptar. Më 26 maj 1999, forcat serbe ekzekutuan 27 shqiptarë të pafajshëm në lagjen Tusuz të Prizrenit, ndërkaq dogjën mbi 250 shtëpi në tentim për zhbërjen e qenies shqiptare. Kurrë s’do të harrojmë kujtimin për ta. Kurrë s’do të ndalemi së kërkuari drejtësi”.

Masakra e Tusuzit konsiderohet të jetë ngjarja më e rëndë në qytetin e Prizrenit gjatë kohës së luftës, ku në operacionin e njësive policore serbe u masakruan 27 shqiptarë, përfshirë gra, fëmijë e pleq. Në lapidarin e të rënëve është i skalitur emri i Behar Abdylmexhitit, i cili atëkohë ishte vetëm 17-vjeç, si dhe Fazile Maqkaj, e cila u dogj e gjallë në karrocën invalidore.

Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e mijëra viktimave. Ndryshe, në luftën e fundit në Kosovë vlerësohet se u vranë rreth 13 mijë e 500 persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore