Lajme

Dëshmitari i gjashtë në rastin e Shalës pyetet për personat e ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës


Pjetër Shala.

Dëshmitari i gjashtë me radhë me kodin 11 në gjykimin ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shalës ka përfunduar dëshminë e tij.

Dëshmitari gjatë kësaj seance ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes së Shalës, konkretisht të avokatit Jean-Louis Gilissen, i cili proces është zhvilluar në seanë private.

Kurse, gjykatësi Zhilber Bitti, në këtë seancë ka kërkuar sqarime për numrin e personave që ishin të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës.

‘‘Juve në deklaratë të mëparshme keni thënë se kur ishit të ndaluar erdhën të burgosur të rinj dhe disa nga grupi i parë janë larguar, ju kujtohet ta kesh thënë këtë’’, pyeti gjykatësi Bitti, dhe dëshmitari u përgjigj me ‘‘po’’.

Por, ai tha se nuk është i informuar se sa persona janë larguar dhe sa mund të kishin ardhur gjatë periudhës sa ai ishte i ndaluar në këtë fabrikë.

Në momentin kur dëshmitari u pyet për vëllezërit romë, të cilët dëshmitari i ka përmendur edhe gjatë dëshmisë të së martës, seanca ka kaluar në sesion privat.

Duke thënë se “nuk e di se çfarë ndodhte me personat që merreshin nga dhoma dhe dërgoheshin për t’u marr në pyetje dhe se ai personalisht nuk kishte dëgjuar të bërtitura, qarje apo ankesa”.

I pyetur se kur ktheheshin ata në dhomë, çfarë shihte tek ata, ai tha se, ‘‘s’kam mundur ta vërejë se ka qenë terr’’.

Pas kësaj deklarate, gjykatësi Bitti ia lexoi një fragment të të cilin dëshmitari kishte thënë se kur ktheheshin këta persona ishin në gjendje sa nuk mund të rrinin në këmbë.

‘‘Këtë e keni thënë në 2009, dhe po citoj, këtë që keni thënë dhe do të ju pyes nëse e mbani mend, nëse duke u lexuar do të ju kujtohet, ‘kur më pyesnin e dija që shpresoni se do më merrni në pyetje gjatë ditës sepse mendimi i të marrit në pyetje natën ishte i frikshëm, sepse ata që i merreshin në pyetje natën, kur vinin, kur ktheheshin në dhomë ishte jo diçka për të pasur zili’.

“Dhe pastaj ju pyeten se pse,  dhe ju keni thënë ‘ishin rrahur kaq shumë sa mezi qëndronin në këmbë, ishin më shumë se që ishin rrahur’,  a ju kujtohen këto fjalë z. dëshmitar’’, tha gjykatësi e që dëshmitari tha se ‘‘po më kujtohet’’.

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit, mbrojtësi i viktimave ka propozuar që palët dhe pjesëmarrësit të i fusin në sistem vetëm ato materiale që janë shtesë të listës së materialeve të palëve, kjo për të thjeshtësuar procedurat.

Shala u arrestua me 16 mars të vitit 2021 nga autoritetet belge, ndërsa transferimi i tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës u bë më 15 prill 2021. Gjykimi ndaj tij filloi më 21 shkurt, ndërsa prokurorët e specializuar dhe mbrojtja e viktimave paraqitën deklaratat hyrëse.

Ai ngarkohet për krimet që u kryen midis 17 majit dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, e cila pretendohet se ishte nën kontrollin e UÇK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore