Gjykata Speciale

Specialja ia vazhdon paraburgimin Shalës


Pjetër Shalës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), kanë marrë vendim të enjten që Pjetër Shalës, t’i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e DhSK-së, Angela Griep, e cila ka thënë se ky vendim është marrë më 17 maj nga trupi gjykues.

Këtë vendim Griep e ka sqaruar me arsyetimin se vazhdon të ekzistojë rreziku që Shala të pengojë ecurinë e procedurave ose të kryej vepra të tjera penale.

“Më 17 maj, Trupi Gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Pjetër Shalës, duke konstatuar se vazhdon të ekzistojë rreziku se z. Shala mund të pengojë ecurinë e procedurave penale dhe të kryejë vepra penale të tjera”.

“Trupi Gjykues vendosi gjithashtu se vetëm në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara mund të kryhet mbikëqyrja e efektshme e komunikimeve të të akuzuarit”, tha Griep.

Më 23 janar, ishte marrë vendim që Shalës t’i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj.

Shala ishte arrestuar më 16 mars të vitit 2021 nga autoritete belge. Ndërsa transferimi i tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës u bë më 15 prill 2021.

Shala sipas aktakuzës ngarkohet me përgjegjësi penale individuale me forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhej në aktakuzë.

Por, Shala në nisje të gjykimit ndaj tij pati thënë në se akuzat ndaj tij janë “të fabrikuara”.

“Nuk pranoj asgjë, të gjitha janë të fabrikuara”, theksoi Shala.

Gjykata Speciale tashmë e ka shqiptuar dënimin e parë për krime lufte në dhjetor të 2022-ës.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar më 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore