Lajme

Maloku për AP: Ligji i ri për Këshillin Prokurorial, iniciativë e njëanshme e Qeverisë


Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, ka thënë për Albanian Post se vendimi i Qeverisë së Kosovës për për plotësim ndryshim të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës është tentativë re e Qeverise për të cenuar pavarësinë e KPK-së.

“Është një iniciativë e njëanshme e Qeverisë së Kosovës për ta bërë edhe një draft-ligj jashtë vendimit të Gjykatës Kushtetueses e cila përmbysi edhe tentativën e parë për ndryshim të këtij Ligji”, tha Maloku.

Sipas tij, miratimi i Ligjit të ri për KPK-në është vazhdim “i procesit të njëanshëm të Qeverisë së Kosovës”, i cili minon bashkëpunimin për procesin e reformës, të shprehur përmes nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët të Zotimit nga institucionet relevante të drejtësisë.

“Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së tij, Qeveria e Kosovës nuk është mjaftuar me verdiktin e organit më të lartë kushtetues në vend dhe ka vazhduar me moskoordinimin e plotë dhe ka miratuar me nxitim dhe në mënyrë të njëanshme këtë projektligj tejet të rëndësishëm”, shtoi ai.

Megjithatë, Maloku ka theksuar se Këshilli Prokurorial i Kosovës, mbetet i përkushtuar për të mbështetur proceset e përgjithshme reformuese dhe angazhohet që së bashku me të gjithë partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë dhe të bashkëveprojë në çdolloj nisme që ka për qëllim reformimin e nevojshëm, në mënyrë që të fuqizohet sundimi i ligjit në Kosovë.

“Pas analizimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe adresimit të gjetjeve kryesore, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shpalosi para ministrave versionin e ri të projektligjit në fjalë, version ky i cili është përpiluar pas konsultimit me të gjithë akterët, përfshirë Këshillin Prokurorial, shoqërinë civile dhe partnerët”.

Edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lëvizja FOL, kanë reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës, ku është miratuar versioni i ri i Projektligjit për Këshillin Prokurorial, më 12 korrik.

Përmes një komunikate të përbashkët këto dy organizata kanë thënë se ky ndryshim paraqet politizim objektiv të KPK-së.

“Rritja e numrit të anëtarëve të KPK-së në 19, tetë (8) prej të cilëve do të zgjedhën me një shumicë të thjeshtë nga Kuvendi, dhe rregulla se kuorumi në KPK mund të krijohet vetëm edhe me pjesëmarrjen e anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi paraqet politizim objektiv të KPK-së. Secila Qeveri, supozohet se e ka edhe shumicën parlamentare në Kuvend”.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e pati shpallur të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji nga deputetët vitin e shkuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore