Lajme

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria miraton Ligjin e ri për Këshillin Prokurorial


Ilustrim

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj të radhës ka votuar pro projektligjit për plotësim ndryshimin për Ligjin Prokurorial, projektligj ky i cili fillimisht nuk kishte kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

Pas analizimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe adresimit të gjetjeve kryesore, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shpalosur para ministrave versionin e ri të projektligjit në fjalë, version ky i cili është përpiluar pas konsultimit me të gjithë akterët, përfshirë Këshillin Prokurorial, shoqërinë civile dhe partnerët.

“Ky projektligj është pjesë e reformave tona përmes të cilave po synojmë që të kemi një sistem të drejtësisë efikase e veçanërisht ta reformojmë Këshillin Prokurorial, ashtu që i njëjti të jetë një organ ku dominon pluralizmi, pavarësia, integriteti, transparenca dhe sundimi i ligjit”, ka thënë Haxhiu fillimisht.

Ajo ka thënë se në projektligj parashihet që si anëtarë të përhershëm të Këshillit të jenë 7 prokurorë, tre prej tyre të zgjedhur nga Kuvendi.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e pati shpallur të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji nga deputetët evitin e shkuar.

Plotësim ndryshimin e Ligjit Prokurorial, ka komentuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e cilësoi këtë si një ndër ligjet  kryesore substanciale, i cili e mundëson reformimin e sistemit prokurorial.

“Nëpërmjet tij synohet ndryshimin i përbërjes së Këshillit Prokurorial në kuptim të arritjes së balancit të përbërjes së anëtarëve prokurorëve, jo-prokurorëve, eliminimi i koorporatizmit, ndikimeve nga faktorët e ndryshëm dhe shpërbërja e grupeve të interesave të ngushta”.

Një ndryshim i tillë, sipas Kurtit, do të sjellte një llogaridhënie më të thellë, pavarësi funksionale dhe kushtetuese të Këshillit Prokurorial dhe gjithashtu rezultate më të prekshme për të gjithë sistemin”.

Formohet Grupi Koordinues për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Në mbledhjen e 151-të Qeveria e Kosovës ka votuar pro themelimit të Grupit Koordinues për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Të mërkurën duke komentuar themelimin e këtij grupi koordinues, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vlerat e Këshillit të Evropës janë të kodifikuara dhe të zbatuara nëpërmjet konventave të ndryshme dhe të monitoruara nga Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut, të cilat Kosova i zbaton me përkushtim edhe duke mos qenë anëtare e këtij organizmi ndërkombëtar.

“Për të arritur koordinimin dhe bashkëpunimin e brendshëm dhe për të ofruar një pasqyrë sa më të saktë dhe koherente të drejtave të njeriut, sundimi të ligjit dhe demokracisë, MPJ-ja ka propozuar krijimin e një Grupi Koordinues ndërinstitucional i cili në përbërje aktuale është në fazën fillestare, pra do të jetë një grup dinamik i cili do të përfshije edhe akterë të tjerë institucional e nga shoqëria civile varësisht nga çështjet të cilat do të ngritën nga Këshilli i Evropës”.

Duke komentuar formimin e këtij grupi koordinues për Këshillin Evropës, ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, sa se në fazën e dytë të anëtarësimit të Kosovës në KiE duhet një koordinim më i ngushtë ndërinstitucional me qëllim për të qenë i përgatitur për të gjitha kërkesat dhe të gjitha raportet.

“Prandaj kemi propozuar formimin e grupit koordinues i cili ka për detyrë zhvillojë komunikim dhe bashkëpunim ndërinstitucional për anëtarësimin e Kosovës në KiE. Duke shkëmbyer informacione që lidhen me procesin e anëtarësimit dhe duke hartuar raporte specifike në fazën e përgatitjes së opinionit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së”, ka thënë Gërvalla.

Qeveria e Kosovës gjithashtu në mbledhjen e radhës ka emëruar si sekretare të Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë, Anita Kalenderin.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në mbledhjen e Qeverisë ka njoftuar se për këtë pozitë kanë aplikuar tetë kandidatë, ndërsa dy kanë hyrë në listën e ngushtë.

“Anita Kalanderi dhe Flutura Berbati-Zena janë dy kandidatet që janë vlerësuar mbi pragun 70 për qind të pikëve”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore