Kosova

Gërvalla e njofton kongresistin amerikan për “shtrirjen e sovranitetit” në të gjithë territorin e Kosovës


Foto nga MPJ

Ministrja e Punëve të Jashtme (MPJ), Donika Gërvalla, ka takuar të shtunën kongresistin amerikan nga radhët e demokratëve, Gregory Meeks, të cilën e ka informuar për të gjitha veprimet që shteti që ajo përfaqëson i ka ndërmarrë për shtrirjen e sovranitetit në gjithë territorin e vendit.

Lajmi u bë i ditur nga MPJ, përmes një komunikate për media, ku theksuan se në këtë takim është biseduar për bashkëpunimin më intensiv mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).

“Gjatë takimit u bisedua rreth intensifikimit të vizitave të kongresistëve amerikanë në Republikën e Kosovës dhe fuqizimin e bashkëpunimit në çështje të veçanta, si në politikën e jashtme të Kosovës ashtu edhe në programe të zhvillimit të demokracisë, ekonomisë dhe arsimit”, thuhet në njoftim.

Bëhet me dije se gjatë këtij takimi u rinkonfirmuan marrëdhëniet “e fuqishme mes dy shteteve dhe dy popujve, duke potencuar se qytetarët e Kosovës, edhe nga matjet ndërkombëtare, dalin të jenë qytetarët më pro-amerikanë në botë”.

Foto nga MPJ

Ndërkaq, Gërvalla dhe Meeks kanë folur edhe rreth situatës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe veprimet destabilizuese të Serbisë dhe Rusisë në këtë rajon.

“Kryediplomatja e Kosovës e informoi në detaje kongresistin Meeks rreth veprimeve që ka ndërmarrë shteti i Kosovës në shtrirjen e sovranitetit në gjithë territorin e vendit, duke realizuar kështu një prej premtimeve më të rëndësishme për shtrirjen e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.

Ndryshe, Gërvalla, po ashtu të shtunën, ka njoftuar se ka takuar Ndihmës Sekretarin e Shtetit për çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, gjatë vizitës së saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, kryediplomatja ka njoftuar se në takim, ndër të tjera, është diskutuar edhe “jetësimi i aspiratave për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.

“Në frymën e marrëdhënieve të posaçme ndërmjet dy shteteve gjatë takimit janë trajtuar aspekte të shumta të thellimit të bashkëpunimit dypalësh, forcimit të sundimit të ligjit e demokracisë”, ka thënë Gërvalla.

Gjithashtu Gërvalla ka potencuar se gjatë takimit me top-diplomatin amerikan janë diskutuar edhe zhvillimet të tjera aktuale në vend.

“Duke vënë theksin në përkushtimin e institucioneve në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon si dhe zmbrapsjen e kërcënimeve të sigurisë”, ka shtuar Gërvalla.

Gërvalla takon O’Brien, diskutojnë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore