Kosova

Gërvalla takon O’Brien, diskutojnë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare


Donika Gërvalla dhe James O'Brien

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, të shtunën ka njoftuar se ka takuar Ndihmës Sekretarin e Shtetit për çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, gjatë vizitës së saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, kryediplomatja ka njoftuar se në takim ndër të tjera është diskutuar edhe “jetësimi i aspiratave për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.

“Në frymën e marrëdhënieve të posaçme ndërmjet dy shteteve gjatë takimit janë trajtuar aspekte të shumta të thellimit të bashkëpunimit dypalësh, forcimit të sundimit të ligjit e demokracisë”, ka thënë Gërvalla.

Gjithashtu Gërvalla ka potencuar se gjatë takimit me top-diplomatin amerikan janë diskutuar edhe zhvillimet të tjera aktuale në vend.

“Duke vënë theksin në përkushtimin e institucioneve në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon si dhe zmbrapsjen e kërcënimeve të sigurisë”, ka shtuar Gërvalla.

Ndryshe Gërvalla në një intervistë për Zërin e Amerikës, deklaroi se Qeveria e Kosovës s’do të zbatojë draft-statutin e Bashkimit Evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, nëse Serbia nuk zbaton detyrimet që i rrjedhin nga Marrëveshja Bazë.

“Ne nuk do ta zbatojmë atë draft i cili është në kuadër të procesit të Brukselit, pa u zotuar Serbia që edhe ajo të zbatojë pjesën e saj të punës. Prandaj duhet t’i ndajmë gjërat – ose po e trajtojmë Asociacionin në Bruksel ose po e trajtojmë në Kosovë, por dy proceset nuk mund t’i lidhim bashkë”, deklaroi ajo.

Gërvalla: Nuk e zbatojmë variantin e BE-së për Asociacionin, derisa Beogradi nuk zbaton marrëveshjen e Brukselit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore