Kosova

Gërvalla: Nuk e zbatojmë variantin e BE-së për Asociacionin, derisa Beogradi nuk zbaton marrëveshjen e Brukselit


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës s’do të zbatojë variantin e propozuar nga Bashkimi Evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, nëse Serbia nuk zbaton detyrimet që i rrjedhin nga marrëveshja e Brukselit.

“Ne nuk do ta zbatojmë atë draft i cili është në kuadër të procesit të Brukselit, pa u zotuar Serbia që edhe ajo të zbatojë pjesën e saj të punës. Prandaj duhet t’i ndajmë gjërat – ose po e trajtojmë Asociacionin në Bruksel ose po e trajtojmë në Kosovë, por dy proceset nuk mund t’i lidhim bashkë”, deklaroi ajo.

Gërvalla në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ka thënë se tashmë kanë dërguar komentet e tyre për draftin e BE-së, por që akoma s’kanë pranuar përgjigje.

“Ne kemi dërguar komentet tona, nuk kemi marrë ende përgjigje për komentet që kemi dërguar lidhur me atë draft dhe ato i kemi dërguar menjëherë vjeshtën e kaluar”.

Për draftin e BE-së, ajo theksoi se “në suazat që është dorëzuar nga BE-ja, nuk është në gjendje të dorëzohet nga ana jonë në Gjykatën Kushtetuese”.

Meqë sipas Gërvallës, kjo çështje po konsiderohet me kaq rëndësi dhe është vazhdimisht Serbia ajo që e bllokon do të duhej që të zgjidhej pa këtë palë.

“Ndërsa nëse e shohim që qenka kaq urgjente çështja e një formati të cilin komuniteti serb do të mund të kishte një vetorganizim brenda ligjeve dhe brenda rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, atëherë në vend që të presim një proces të cilin Serbia e bllokon në çdo hap dhe nuk e pranon si të tillë, ne do të duhej të uleshim dhe do të duhej ta zgjidhnim vet. Në këtë pikë kemi qenë, kjo ka qenë oferta jonë. Të mos presim bllokadat”.

E pyetur rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) dhe vendimit që mori Qeveria për ta dërguar në moment të fundit draftin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Gërvalla u përgjigj duke sqaruar se “kërkesat e bëra kanë qenë politike”, duke i vlerësuar ato si “të padrejta” dhe “të paarsyeshme”.

“Nëse Asambleja konstaton se janë përmbushur të gjitha kushtet, atëherë do të duhej të kishte njëfarë detyrimi edhe ndaj Këshillit Ministror për ta çuar më tej procedurën”, tha ajo.

Teksa, theksoi se veprimin e morën edhe për të treguar se kanë gatishmëri për të punuar mbi obligimet që i takojnë Kosovës.

“Së dyti, ne e dërguam këtë sepse donim të ishim konstruktivë dhe të tregonim se jemi të gatshëm të punojmë më konkretisht mbi temat dhe detyrimet tona. Unë jam shumë e bindur se rruga e Kosovës drejt Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe NATO-s është një rrugë e domosdoshme”.

“Nuk ka alternativa të tjera për Kosovën. Sa më shumë rezultate që bindëse që të arrijmë në vend aq më i lehtë do të jetë anëtarësimi në këto mekanizma”.

Ndërkaq, u pyet edhe për zgjedhjet e reja parlamentare për të cilat pohoi se pushteti ka gatishmëri, por që moskoordinim ka nga opozita.

“Nëse opozita në Kosovë është e mendimit që duhet të shkojmë në zgjedhje të reja dhe ka një konsensus për këtë, ne nuk do ta pengojmë këtë proces. Por, ne nuk mund të shkojmë në zgjedhje në mënyrë selektive, me partnerë selektivë nga opozita. Ne presim që opozita të jetë serioze në thirrjet e saj për zgjedhje dhe mos ta bëjë këtë vetëm nëpër media, aty ku nuk vendoset për zgjedhje të reja. Ne jemi të gatshëm kurdo që opozita të jetë e gatshme”.

“Ne mendojmë se do të ishte më mirë që zgjedhjet të mbaheshin gjatë ditëve të gjata se sa në ditët e shkurtër të dimrit. Megjithatë, ne jemi të gatshëm edhe që ta çojmë mandatin tonë deri në fund. Kjo do të ishte hera e parë që një qeveri e zgjedhur do ta çonte deri në fund mandatin pas pavarësimit të vendit”.

Qeveria e Kosovës, në letrën që më 15 maj i kishte dërguar Këshillit të Evropës, kishte potencuar se në Kushtetuese do ta dërgojnë një draft-statut të përgatitur nga vetë ekzekutivi dhe jo draft-statutin e Bashkimit Evropian, i cili iu prezantua palëve vitin e kaluar.

Sipas letrës së Gërvallës, Qeveria po punonte në një draft-statut të frymëzuar nga ai i Fondacionit Friedrich Ebert (FES).

Ndërsa të premten pasi edhe zyrtarisht Komiteti i Ministrave e përfundoi seancën për nder të 75 vjetorit pa shqyrtimin e anëtarësimit të Kosovës në KiE, Gërvalla përmes një statusi të gjatë në platformën sociale, tha se propozimi i Qeverisë së Kosovës për të përpiluar një draft-statut për Asociacionin e ka humbur “aktualitetin dhe relevancën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore