Shqipëria

LSI, të rejat në listat zgjedhore


Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ditën e djeshme, më 8 mars 2021, shpalli listën e kandidatëve që do të përfaqësojnë LSI-në.

Në ndryshim nga lista e katër viteve më parë, Kryemadhi është e para në listën e Fierit, Elbasanit dhe Tiranës. Ndërsa nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, del i treti në listën e qarkut të Tiranës.

Sakaq, Luan Rama kryeson listën zgjedhore të LSI-së në Vlorë. Nga figura të tjera të shquara të LSI-së bie në sy prania e Erisa Xhixhos dhe Klajda Gjoshës, respektivisht e dyta dhe e katërta për qarkun e Tiranës.

Ish-ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, renditet i gjashti në kryeqytet.

Kejdi Mehmetaj, një nga figurat e promovuara herët dhe një nga zërat e rinj të LSI-së, rezulton e dyta në listën e Fierit, mbas kryetares Monika Kryemadhi.

Një prej ndryshimeve të mëdha nga viti 2017, është kalimi i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, nga listat e LSI-së në ato të Partisë Socialiste (PS).

Ai kandidon si i shtati në listën zgjedhore të PS-së, në qarkun e Durrësit.

Koka u akuzua nga Kryemadhi javën e kaluar për shpërdorim detyre dhe favorizim për dhënien me koncesion të inceneratorit të Tiranës.

Ndërkaq, largim tjetër nga radhët e LSI-së është edhe Nasip Naço, i cili kandidon në Berat, po për PS-në.

Në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, listën e Dibrës e kryesonte Përparim Spahiu, kurse të Fierit, Petrit Vasili. Në zgjedhjet e ardhshme, këta dy kandidatë janë të vendosur në listën e qarkut të Tiranës.

Në publikimin e listave të së hënës, listën e Fierit e kryeson kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, kurse Dibrën, Hajri Laçi.

Tjetër lëvizje e bërë nga kryetarja e LSI-së është vendosja e kandidaturës së ish-zëvendësministres së Arsimit, Nora Malaj, në Tiranë (numri tetë në listë). Gjithashtu ndryshime ka patur në listat e Fierit dhe të Dibrës.

Katër nga 19 deputetë të zgjedhur në vitin 2017 nuk janë më në listat e LSI-së. Ata janë: Lefter Koka, i qarkut të Durrësit, Robert Bitri i qarkut të Fierit, Sezai Rokaj i qarkut të Vlorës dhe Nasip Naço i qarkut të Beratit.

Një prurje e re për LSI-në ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike (PD), Lefter Maliqi, i cili garon në qarkun e Beratit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore