Shqipëria

Lezhë/ Ndalohet 62-vjeçari që tentoi të kryejë marrëdhënie seksuale me një të mitur


Të martën e 4 majit është bërë ndalimi nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) i një shtetasi 62-vjeçar. Ndalimi u krye pasi dyshohet se në datë 29 prill 2021, punonjësi i policisë ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një të mitur.

SHÇBA-ja ka ekzekutuar urdhërin e ndalimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për veprën penale, “Ngacmim seksual”.

Në deklaratën e policisë thuhet se nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se punonjësi i policisë K.K. ka shfrytëzuar rastin kur e mitura ka qenë e pashoqëruar nga persona madhorë. Duke keqpërdorur atributet që i jep detyra funksionale, nëpërmjet mashtrimit se do ta shoqëronte në Komisariatin e Policisë, e ka marrë të miturën në një banesë në qytetin e Lezhës, që e kishte në përdorim.

Aty dyshohet se ka kryer vepra të turpshme, duke tentuar gjithashtu të kryejë marrëdhënie seksuale. Këto veprime janë kundërshtuar nga e mitura, e cila është larguar me forcë nga banesa.

Nisur nga kallzimi i të miturës dhe nga verifikimet paraprake të Policisë Gjyqësore, që dokumentoi me prova shkencore rastin, si edhe duke siguruar pamje filmike, është arritur në konkluzionin se shtetasi K.K. ka konsumuar elementë të veprës penale “Ngacmim seksual”.

Hetimet vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore