Shqipëria

Kuvendi vijon seancën maratonë për buxhetin e vitit 2023


Të enjten e 10 nëntorit do të zhvillohet seanca e dytë plenare në Kuvendin e Shqipërisë për shqyrtimin e projektligjeve dhe buxhetin e shtetit të vitit 2023.

Më herët, seanca 12-orëshe u shoqërua me debate dhe përplasje për shkak të kalimit me procedurë të përshpejtuar të projektligjit për portin e ri të Durrësit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u ndal te disa pika thelbësore në buxhetin e vitit të ardhshëm.

Sipas tij, në qendër të saj do të jetë mbrojtja e familjeve dhe biznesit të vogël nga kriza për shkak të inflacionit të luftës.

“Mbrojtja e familjeve nga çmimi i energjisë është thelbi dhe ashtu siç është mbrojtja e biznesit të vogël”, u shpreh fillimisht Rama për buxhetin e vitit 2023.

Kreu i qeverisë shtoi se do të rritet edhe njëherë niveli i pagës minimale, nga 36 mijë lekë në 38 mijë lekë të reja.

“Nga kjo rritje”, theksoi Rama, “janë 21 milionë dollarë që përfitohen drejtëpërdrejtë nga ata që paguhen me pagën minimale”.

Ai kujtoi se për 100 mijë familje janë 3 mijë e 500 lekë që shtohen çdo muaj falë rritjes së këtij viti.

Rama garantoi se do të vazhdojë edhe rritja e pagave 6 për qind për punonjësit e arsimit, shëndetësisë dhe zjarrfikësit.

Kryeministri paralajmëroi gjithashtu një rritje tjetër të pagës për ushtarakët.

Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë, sqaroi se me buxhetin e vitit 2023 parashikohet një ngadalësim i rritjes ekonomike dhe ulje e normës së inflacionit.

Ajo tha se ndikimet ekonomike në vend varen nga lufta në Ukrainë dhe nga situata në ekonomitë botërore.

“Parashikojmë që ekonomia të rritet me 2.6 për qind. Parashikojmë që norma e inflacionit të bjerë në nivelin 3.6 për qind nga niveli që është sot”, ka sqaruar Ibrahimaj.

Sipas saj, buxheti parashikon konsolidim fiskal, reduktim të borxhit.

Ministrja ka treguar po ashtu se objektivi kryesor për vitin 2023 është garantimi i furnizimit me energji për qytetarët.

Të ardhurat në vendin tonë për vitin 2023 parashikohet të jetë në nivelin 631. 7 miliardë lekë, e cila do të ndahet mes qeverisjes qendrore dhe asaj lokale.

Fokus të veçantë në buxhet pritet të ketë edhe sektori energjetik, ku parashikohet fondi prej 12 miliardë lekësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore