Shqipëria

Kuvendi mblidhet të hënën, miratohet anëtarësia e Byrosë dhe komisionet


Parlamenti i Shqipërisë do të mblidhet sërish të hënën e 13 shtatorit në orën 17:00, me urdhër të Kryetares së re të Kuvendit, Lindita Nikolla.

Në rendin e ditës, do të jenë gjashtë pika.

Katër më të rëndësishmet, përkojnë me projektvendimet për zgjedhjen e Byrosë, përbërjen e Sekretariateve të Kuvendit dhe caktimin e Komisioneve Parlamentare.

Përkatësisht, do të caktohen kryesitë e Komisoneve të Përhershme Parlamentare. Do të përcaktohen edhe përbërjet e këtyre komisioneve të përhershme. Ndërkaq, do të ketë edhe përcaktim të anëtarëve përkatës, të cilët do të jenë pjesë e punimeve të komisioneve në Kuvend.

Komisionet e përhershme në punimet e Kuvendit, janë tetë.

Përkatësisht, ai për Çështjet ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Komisioni për Integrimin Evropian, ai për Politikën e Jashtme, për Ekonominë dhe Financat, Sigurinë Kombëtare, Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë si edhe Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

Disa prej emrave që do t’i drejtojnë këto komisione ndërkaq, janë bërë publikë.

Në krye të ligjeve, do të jetë Klotilda Ferhati. Mimi Kodheli do të kryesojë atë të Politikës së Jashtme dhe Nasip Naço, atë të Sigurisë.

Eduart Shalsi do të kryesojë Komisionin për Ekonominë dhe Financat. Veprimtarinë prodhuese do ta ketë Arben Pëllumbi.

Nga opozita, Jorida Tabaku do të drejtojë Komisionin për Integrimin Evropian. Ndërsa, Albana Vokshi, do të jetë në krye të shëndetësisë.

Një çështje tjetër me rëndësi në punimet e Kuvendit, është edhe votëbesimi i Qeverisë së re. Me dekretimin nga Presidenti, Ilir Meta, të Edi Ramës si kryeministrër, ky i fundit ka 10 ditë kohë të marrë në Kuvend votëbesimin për kabinetin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore