Lajme

Kush mund t’ia qëllojë çfarë tha Besnik Bislimi?


Zëvendëskryeministri Bisnik Bislimi duke raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, duke raportuar në Komisionin Parlamentar për Integrim Evropian, konstatoi se institucionet dhe bordet e ndërmarrjeve në Kosovë janë të politizuara. Më pas tregoi versionin e tij se si ai e kupton politizimin dhe de-politizimin e këtyre institucioneve.

“Edhe kërkesa kryesore e partnerëve tanë ndërkombëtarë është de-politizimi i institucioneve”, tha Bislimi duke tentuar të fuqizojë konstatimin e tij, për të shtuar më pas se, “ka një dakordancë që institucionet e Kosovës janë tmerrësisht të politizuara”.

“Cili institucion ka nevojë të de-politizohet?”, pyet Bislimi përgjigjen e të cilës e jep vet, “vetëm një institucion i cili është i politizuar”.

Në elaboratin e këtij termi, Bislimi shkon edhe më tej në shpjegimin e termit politizim dhe de-politizim.

“Politizim nuk nënkupton që një individ që menaxhon një institucion ose një ndërmarrje nuk duhet të jetë me preferenca politike”, por sipas Bislimit, “politizim nënkupton që kriter për përzgjedhjen e atij personi është përputhshmëria politike”.

Më pas thotë diçka tjetër, që bie në kundërshtim me fjalinë e parë.

“Nuk mendoj që është gabim në qoftë se Besnik Bislimi emërohet anëtar bordi në një institucion për arsye se është makro-ekonomist, por në qoftë se Besnik Bislimi është me shkollë të mesme dhe emërohet atje në bord vetëm pse është militant i një subjekti politik – ky është politizimi”, shprehet i bindur ai para deputetëve të opozitës dhe pozitës, në komisionin për Integrime Evropiane.

“Ne nuk i kemi armiq ekspertët që janë në Lëvizjen Vetëvendosje. Dhe në qoftë se ata përmes konkurseve arrijnë të dëshmojnë se e meritojnë një vend të punës ne do të jemi të lumtur sepse do të themi që ja kemi ekspertë”, përfundon Bislimi.

Këto përgjigje e konstatime, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi i bëri pasi që deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu tha që, bazuar në fjalën e fundit të Komisionerit për Zgjerim Oliver Varhelyi, në Parlamentin Evropian për vitin e kaluar, ai ka thënë se në Kosovë “ka nevojë për luftim të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ka progres të limituar në këtë drejtim”.

Për të shtuar më pas se demokracia në Kosovë asnjëherë nuk ka pasur përmbysje më të madhe për shkak të tentimit të qeverisë që të angazhojë e punësoj militantë të partisë në çdo bord e institucion të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore