Lajme

Kusari: VV-ja do të ketë diskutim për rregullimin e ligjit të martesave me gjininë e njëjtë


Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka bërë të ditur se grupi i saj parlamentar do të diskutojë rregullimin e ligjit për martesat e gjinive të njëjta.

“Grupi parlamentar i VV-së do ta ketë në diskutim, natyrisht secili grup parlamentar ka zëra të ndryshëm në lidhje me një referencë, dhe kjo referencë ka të bëjë me rregullimin e martesës së gjinisë së njëjtë me një ligj tjetër të veçantë, i cili nuk duhet t’i ndalojë as ata që janë me pikëpamje konservative të votojnë këtë projekt-kod”, u shpreh ajo.

Tutje, Kusari-Lila në konferencë për media ka deklaruar se ky diskutim për rregullimin e ligjit sipas saj ka peshë të rëndësishme.

“Për arsye të rëndësisë dhe peshës, kjo veç e tregon se në shoqërinë tonë do të vazhdojë ky debat, është debat përmbajtjesor dhe tepër i rëndësishëm në raport me të drejtat bazike elementare njerëzore. Ky projekt kod është tepër i rëndësishëm dhe duhet të mbështetet nga gjithë deputetët pa dallim”.

Ndryshe, të enjten e 24 shkurtit në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seancë për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, deklaroi se Qeveria Kurti është shumë jotransparente në raport me procesin e dialogut.

“Unë sot nuk mund të flas për draftin e një marrëveshjeje që nuk e kemi parë. Por do të shohim në të ardhmen për një dokument që do ta ndajë Qeveria me deputetët”.

Edhe kreu i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë (AAK), Besnik Tahiri, u shpreh se dialogu duhet të përmbyllet, ndërsa gjatë kohës sa është dialoguar me Serbinë ai konsideron se nuk ka pasur ndonjë përfitim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore