Kosova

Kurti: Vendimi i GjND-së i dha vulë asaj që e dinin gjithë kohën mbështetësit e drejtësisë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar përvjetorin e 13-të të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

“Në këtë ditë të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – gjykata më e lartë e OKB-së – vendosi që shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke i dhënë një vulë përfundimtare asaj që ata që mbështesin të drejtat e njeriut dhe drejtësinë e dinin gjatë gjithë kohës”, shkroi kryeministri Kurti në Twitter.

Ndryshe, edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në rrjetin e saj social në Twitter, ka kujtuar përvjetorin e 13-të të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Sipas saj 13 vjet më parë GJND-ja konfirmoi se Kosova nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtarë kur e ka shpallur pavarësinë e saj.

Prandaj mbi këtë premisë ajo ka kërkuar që të gjitha shtetet mos-njohëse ta marrin për bazë këtë dhe të ndryshojnë qëndrim në raport me shtetësinë e Kosovës.

“13 vjet më vonë, kjo pikëreferimi mbetet një thirrje për vendet që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë, të bashkohen me demokracitë në mbarë botën dhe të njohin realitetin e pakthyeshëm të Republikës sonë sovrane”, ka shkruar ajo në Twitter.

Po ashtu, edhe Partia Demokratike e Kosovës, përkatësisht Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës,  kanë kujtuar përvjetorin e 13-të të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, Krasniqi tha se “si sot, 13 vjet më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konstatoi se Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”.

“Me vullnetin dhe përpjekjen për shtetformim të një lidershipi vizionar, në koordinim me miq e aleatë e jo kundër tyre, me dashuri e përkushtim për të ardhmen e sigurt të fëmijëve tanë dhe jo duke e rrezikuar atë – shpallja e pavarësisë është suksesi ynë më i madh historik”.

Prandaj, pohoi ai, “edhe sot, kujtojmë dhe nderojmë sakrificën e madhe ndër breza të popullit tonë dhe luftën e shenjtë e çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

“Krenarë, sot e përjetësisht, me shtetin dhe qytetarët tonë liridashës!”, përfundoi kreu i PDK-së.

Ndërkaq, nga LDK potencuan se “sot 13 vjet, u dëshmua legjitimiteti i të drejtës tonë për liri, pavarësi dhe demokraci”.

“Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vërtetoi se ‘shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare’”.

Tutje, nga partia opozitare pohuan se në atë kohë Kosova bëri bashkë njerëzit më të mirë e më të aftë të saj në bashkëveprim me miqtë strategjik, “duke e përfaqësuar e mbështetur Kosovën denjësisht në këtë proces qenësor për vendin”.

“Ky gjykim i drejtë e vendim i shumëpritur i dha vulën finale drejtësisë, dhe i hapi rrugë Kosovës që të vazhdojë kërkimin e përfshirjes si shtet i barabartë mes shteteve demokratike”.

Në gjithë këtë rrugëtim, theksuan nga LDK, “plot sfida e njëkohësisht përplot momente përmbushjeje si kjo, Kosova qëndroi krah aleancës së pa rezervë të SHBA-së e miqve tjerë ndërkombëtarë”.

“LDK mbetet krenare në rolin e pazëvendësueshëm që luajti konkretisht në këtë proces dhe në këtë rrugë të denjë të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore