Lajme

Kurti takon ambasadorin britanik, bisedojnë për takimin e 2 majit në Bruksel


Albin Kurti dhe Nicholas Abbott

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të enjte është takuar me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Nicholas Abbott.

Siç njofton zyra e kryeministrit në këtë takim është diskutuar për takimin e radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, që do të mbahet me 2 maj në Bruksel, në mes të kryeministrit kosovar, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

“Sa i përket pritjeve nga takimi i javës së ardhshme në Bruksel, ai tha se pret angazhim konstruktiv që siguron zbatim pa vonesë e të plotë të të gjitha neneve të dakorduara”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, temë e diskutimit në mes të Kurtit dhe diplomatit britanik ka qenë edhe mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në Veri të Kosovës, të dielën e 23 prillit.

“U theksua rëndësia e mbajtjes së zgjedhjeve, të cilat kaluan pa incidente, por në anën tjetër edhe shqetësimi për kërcënimet, frikësimet dhe presionet që çuan në pjesëmarrje të ulët”.

​ Po ashtu, është diskutuar edhe për kalimin me sukses të fazës së parë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, “rëndësinë dhe përfitimet nga anëtarësimi i plotë i vendit tonë aty”.

“Kryeministri Kurti falënderoi ambasadorin Abbott dhe Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen dhe kontributin e tyre në këtë arritje”, thuhet aty.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të takohen më 2 maj në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kishte konfirmuar Peter Stano, zëdhënësi i Bashkimit Evropian.

Ky takim vjen pasi Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin Zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha më 18 mars përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ndërkaq dokumenti i dakorduar në tërësi iu paraqit edhe Këshillit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore