Lajme

Kurti në 74 vjetorin e themelimit të NATO-s: Kosova mbase është vendi më i rëndësishëm në historinë e kësaj Aleance


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në 74 vjetorin e themelimit të NATO-s, konsideron se edhe pse Kosova akoma nuk është anëtare e kësaj aleance, mbetet vendi më i rëndësishëm në historinë e NATO-s.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, kryeministri e ka quajtur “datë historike” atë të 4 prillit.

“Ky kapitull historie duhet kujtuar veçanërisht në datën historike të 4 prillit, sikur sot, kur shënohet përvjetori i 74-të i themelimit të NATO-s”, ka shkruar ai.

Tutje ka kujtuar se 24 vjet më parë, në prag të përvjetorit të 50-të të themelimit të NATO-s, më 24 mars 1999, NATO nisi operacionin ushtarak më të madh në historinë e kësaj aleance deri atëherë.

“Deri më 10 qershor, për 78 ditë rresht, trupat e NATO-s e bombarduan nga ajri Jugosllavinë, me qëllim që të ndalonin spastrimin etnik dhe gjenocidin e ushtruar nga Serbia e Sllobodan Millosheviqit mbi shqiptarët në Kosovë”.

“Fushata ajrore e NATO-s e pasuar nga ndërhyrja ushtarake tokësore, erdhi si një ndërhyrje e shumëkërkuar dhe e shumëpritur që bashkë me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i sollën lirinë Kosovës. Që nga atëherë, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, është partneri kryesor i institucioneve të Kosovës për siguri në vend”, ka shkruar Kurti.

Ai tutje ka thënë se bashkë me kujtimet plot mirënjohje që Kosova ruan për historinë e angazhimit të NATO-s për tu çliruar, “Republika e Kosovës do të vazhdojë të ndjekë hapat e nevojshëm brenda institucioneve të saj dhe në arenën ndërkombëtare, drejt anëtarësimit tonë në NATO”.

Rreth 50 mijë forca të misionit paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, u vendosën në Kosovë pas përfundimit të luftës më 1999 me synim që të garantojnë sigurinë.

Aktualisht në Kosovë janë afër 4 mijë, një numër i konsiderueshëm i të cilëve vijnë nga vendet që nuk janë anëtare të NATO-s.

Kosova në fundin e vitit 2022 dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE, teksa shteti po ashtu aspiron që të bëhet pjesë fillimisht e Partneritetit për Paqe të aleancës dhe eventualisht të bëhet edhe anëtar i NATO-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore