Lajme

Kurti: Kosova mund të rritet vetëm përmes sigurisë dhe mbështetjes


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në panelin e organizuar nga Instituti i Politikave “Chatham House”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në panelin e organizuar nga Instituti i Politikave “Chatham House”, të hënën ku temë diskutimi ishte Kosova dhe gjeopolitika evropiane, ka deklaruar se siguria është themeli mbi të cilin Kosova mund të vazhdojë të rritet.

“Siguria e Kosovës dhe mbështetja për të është themeli mbi të cilin vendi ynë mund të vazhdojë të rritet. Falënderoj ChathamHouse dhe UCL për ftesën në një panel ku u diskutua mbi Kosovën, gjeopolitikën evropiane dhe më shumë”, ka shkruar Kurti në rrjetin social ‘X’.

Ai të hënën në emisionin “The Pulse” në median Bloomberg, ku është pyetur për dinarin serb, sanksionet e Bashkimit Evropian, situatën në Veri, Asociacionin dhe çështje të tjera përgjigjet i ka gjeneralizuar, në disa raste duke dhënë edhe shifra fiktive se si në Kosovë janë shtuar vendet e punës për 18 për qind prejse e ka marrë ky pozitën e kryeministrit dhe se ka pasur rritje ekonomike çdo vjet nga gjashtë për qind.

Kurti, më 12 shkurt ka udhëtuar për vizitë njëditore në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka pasur takime me zyrtarë të institucioneve.

Ndryshe, kjo përbën vizitën e pestë të kryeministrit Kurti në Mbretërinë e Bashkuar në më pak se dy vite.

Para kësaj vizite ai kishte takuar Sekretarin në hije të Punëve të Jashtme, David Lammy dhe Ministrin në hije për Evropë, Stephen Doughty – të dy nga radhët e Partisë Laburiste.

Partia Laburiste është partia më e madhe socialiste në Mbretërinë e Bashkuar – opozitë e Partisë Konservatore që aktualisht udhëhiqet nga kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak.

Kujtojmë se përkrahja e Partisë Laburiste nuk ka munguar kurrë për Kosovën, posaçërisht në kohën e kryeministrit Tony Blair e deri më sot.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore