Lajme

Kurti udhëton për në Mbretërinë e Bashkuar


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën ka udhëtuar për në Mbretëri të Bashkuar, ku do të ketë vizitë zyrtare një ditore.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit, përmes një komunikate për media.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në Mbretëri të Bashkuar. Në qëndrimin e tij njëditor atje, krahas takimeve me zyrtarë të institucioneve, ai do të marrë pjesë në panelin e diskutimit mbi sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet Ballkani Perëndimor, të organizuar nga Instituti i Politikave ‘’Chatham House”, thuhet në njoftim.

Edhe më 8 tetor, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte udhëtuar drejt Mbretërisë së Bashkuar ku kishte marrë pjesë në Konferencën vjetore të Partisë Laburiste.

Ndryshe, kjo përbën vizitën e pestë të kryeministrit Kurti në Mbretërinë e Bashkuar në më pak se dy vite.

Para kësaj vizite ai kishte takuar Sekretarin në hije të Punëve të Jashtme, David Lammy dhe Ministrin në hije për Evropë, Stephen Doughty – të dy nga radhët e Partisë Laburiste.

Partia Laburiste është partia më e madhe socialiste në Mbretërinë e Bashkuar – opozitë e Partisë Konservatore që aktualisht udhëhiqet nga kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak.

Kujtojmë se përkrahja e Partisë Laburiste nuk ka munguar kurrë për Kosovën, posaçërisht në kohën e kryeministrit Tony Blair e deri më sot.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore