Lajme

Kurti falenderon deputetët: Jemi shteti i parë që ratifikon tri marrëveshjet nga Procesi i Berlinit


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes llogarisë së tij në Facebook, ka falënderuar deputetet e Kuvendit të Kosovës për mbështetjen që i dhanë tre marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, duke u bërë shteti i parë në Ballkanin Perëndimor që i ratifikoi ato.

“Falënderues për mbështetjen e secilit deputet dhe secilës deputete. Bashkë, sot dëshmuam se Republika jonë është për bashkëpunim të mirë rajonal dhe për progres dhe ecje të shpejtë në jetësimin e Tregut të Përbashkët Rajonal”, shkroi Kurti.

Qeveria e Kosovës, më 8 shkurt, kishte miratuar marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, e cila do të mundësojë lëvizjen pa viza të qytetarëve nga Kosova dhe Bosnjë dhe Hercegovina.

Më 3 nëntor, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor arritën edhe marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.

Prandaj, kreu i ekzekutivit tha se marrëveshjet që u ratifikuan të enjten, do të rrisin mobilitetin e studentëve, punëtorëve dhe bizneseve dhe do të sjellin përfitime për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Marrëveshja në fjalë pritet të miratohet gjithashtu edhe në Këshillin e Ministrave të Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila më pas do të dërgohet për miratim në Asamblenë Parlamentare të Bosnjë dhe Hercegovinës.

“Shpresojmë që edhe vendet tjera nënshkruese të ndjekin ritmin e njëjtë ashtu që të mirat për qytetarët tanë të fillojnë sa më parë”, ka shkruar kryeministri Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

Procesi i Berlinit nisi në vitin 2014 si një iniciativë diplomatike lidhur me të ardhmen e zgjerimit të Bashkimit Evropian me fokus raportet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor që kishin filluar ta humbnin durimin me procedurat burokratike të unionit që ngjanin si pengesa pa cak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore