Lajme

Kurti: Dëshmitë për krimet serbe në Kosovë vazhdojnë të mblidhen – proces i rëndësishëm për paqen e qëndrueshme


Albin Kurti dhe Atdhe Hetemi

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të enjten, ka bërë të ditur se gjatë ditës zhvilloi një takim me drejtorin e Institutit të Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, ku në fokus të diskutimit ka qenë raporti i parë gjashtëmujor rreth procesit për mbledhjen e dëshmive dhe dokumentimin e krimeve serbe në Kosovë.

“Të gjitha dëshmitë e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, të ruajtura nga organizata vendore e ndërkombëtare, nga hulumtues e dokumentues, bashkë me dëshmi të pambledhura deri më tash, vazhdojnë të mbledhen nga institucionet e Republikës së Kosovës”, njoftoi kryeministri, derisa këtë proces e cilësoi të rëndësishëm për të kaluarën e të ardhmen e vendit.

“Për narracione të vërteta dhe të sakta për masakrat, torturat, dhunimet, pengjet e luftës, zhdukjet me dhunë, plaçkitjet, shkatërrimet dhe të gjitha krimet e kryera gjatë luftës, për kujtesën tonë kolektive dhe për trashëgiminë tonë e kemi të funksionalizuar Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë”, shtoi ndër të tjera kreu i ekzekutivit kosovar.

Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e mijëra viktimave. Ndryshe, në luftën e fundit në Kosovë vlerësohet se u vranë rreth 13 mijë e 500 persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore