Lajme

Kuleba: Ukraina nuk do të marrë përsëri armë bërthamore


Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba siguroi se Ukraina nuk ka plane për të marrë përsëri armë bërthamore.

Këtë e deklaroi gjatë fjalimit të tij në një takim të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Ukraina ka dhënë një kontribut historik për sigurinë globale. Në vitin 1994, ne hoqëm dorë nga armët bërthamore. Nga arsenali i tretë më i madh bërthamor në botë. Ne nuk do të marrim më armë bërthamore. Sot presim që bota të garantojë sigurinë tonë”, ishin disa nga afirmimet e tij.

Më herët, Sekretari ukrainas i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, Oleksiy Danilov, tha gjithashtu se Ukraina nuk po flet për zhvillimin e armëve bërthamore.

Në vitin 1994, Ukraina hoqi dorë nga armët bërthamore.

Pas kësaj, Ukraina, SHBA-të, Rusia dhe Britania nënshkruan një memorandum për garancitë e sigurisë në lidhje me pranimin e shtetit lindor në Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (Memorandumi i Budapestit).

Ai përmban klauzola që i japin Ukrainës garanci për sovranitetin dhe sigurinë e saj.

Sipas memorandumit, Shtetet e Bashkuara, Federata Ruse dhe Mbretëria e Bashkuar u zotuan, në veçanti, të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe kufijtë ekzistues të Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore