Lajme

Krasniqi-Goodman kërkesë publike Kurtit e Osmanit: Të shqyrtohen rastet e refuzuara të të mbijetuarave të dhunës seksuale


Vasfije Krasniqi-Goodman

Vasfije Krasniqi-Goodman, njëra ndër të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovës, ka njoftuar të enjten se Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, ka rifilluar procesin e aplikimit për njohje të statusit të viktimave të dhunës seksuale.

Mirëpo, ajo ka kërkuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), të angazhohen maksimalisht që rastet e refuzimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale të shqyrtohen dhe të mbijetuarave që po presin vendimet e gjykatave t’u njihet statusi.

“Personalisht kam takuar qindra viktima, shumë prej të cilave u është refuzuar paarsyeshëm statusi. Si viktimë, që kam kaluar gjithashtu nëpër një proces të mundimshëm verifikimi, kërkoj nga Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës të angazhohen që rastet e refuzuara të shqyrtohen”.

“Është humbur shumë kohë dhe shumë viktima kanë vdekur në errësirën e traumës së tyre, ju lutem mos lejoni që kjo të ndodhë edhe me të tjerat”, ka apeluar Krasniqi-Goodman, e cila vazhdon t’ia (ri)dëshmojë botës një krim të padenuar – rreth 20 mijë raste të dhunimeve seksuale nga pjesëtarët e forcave serbe në Kosovë.

Të mbijetuarat e dhunës seksuale në Kosovë, që prej vitit 2014, mund të marrin statusin e viktimës së dhunës seksuale dhe të përfitojnë një pension prej 230 eurosh, por duhet të kalojnë përmes disa procedurave për njohjen dhe verifikimin e statusit të tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore