Lajme

Krasniqi: Flijimi i Afrim Bunjakut në mbrojtje të sovranitetit shtetëror është krenaria e përjetshme


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka vizituar familjen e policit të vrarë në Veri nga grupet terroriste të Serbisë, Afrim Bunjaku duke thënë se humbja e tij është e pazëvendësueshme.

Krasniqi, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, është shprehur se emri i tij do të jetë i pavdekshëm.

“Sot, me kolegë dhe miq, ishim në familjen Bunjaku në Samadrexhë, për t’u shprehur ngushëllimet më të thella për vrasjen e Afrimit, Heroit të Kosovës. Vrasja e tij është humbje e pazëvendësueshme për familjen, miqtë, kolegët dhe shtetin tonë”.

“Por, flijimi i tij në mbrojtje të sovranitetit shtetëror është krenaria e përjetshme që do ta bëjë emrin e tij të pavdekshëm”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka shtuar se është përgjegjësi e secilit që ta ndërojnë sakrificën e rreshterit, Afrim Bunjaku.

“Tani, është në përgjegjësinë e secilit prej nesh, që përmes punës e angazhimit dinjitoz dhe të parezervë për Kosovën, ta nderojmë sakrificën sublime të rreshterit Afrim Bunjaku dhe kujtimin për Heroin më të ri të Republikës tonë. Lavdi!”.

Polici Afrim Bunjaku, i cili është vrarë të dielën në fshatin Banjskë të Zveçanit, në Veri nga bandat kriminale të Serbisë është varrosur këtë të hënën në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë.

Pas një sulmi terrorist nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës u plagos dhe një tjetër u lëndua.

Organet e rendit konfirmuan se katër sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Derisa pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist dyshohet se janë arratisur duke kaluar në territorin e Serbisë.

Policia ka gjetur prova të reja, pajisje e materiale që janë konfiskuar në Veri ku kishte shkëmbime me armë zjarri dhe janë prezantuar të hënën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore