Shqipëria

KQZ-ja vendos për fletët e votimit, koalicionet pa emrin e kryetarit


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur për fletët e votimit në mbledhjen e 15 prillit lidhur me kandidatët për kryetarë bashkie apo anëtarë të këshillit bashkiak në Tiranë.

Në krah të çdo partie politike, institucioni ka renditur emrin e kryetarit të asaj force politike, por në rastin e koalicioneve nuk parashikohet një veprim i tillë.

Pra, në anë të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe “Aleancës Liberale të Djathtë” nuk gjendet i emërtuar emri i kryetarit.

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Indrit Sefa, ngriti shqetësimin se përse fshihet emri i Ilir Metës si drejtues i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë”.

Sipas tij, në këtë rast po shkelet ligji me këtë format flete, ku drejtuesi i koalicionit nuk përmendet.

“Ka ndonjëherë në historinë e KQZ që në fletën e votimit kur kemi të bëjmë me një koalicion të mos jetë vendosur emri i kryetarit. Ekziston ndonjëherë një precedent të tillë? Sa për informacion me ndryshimin e Kodit në vitin 2020 ka ndryshuar edhe strukturimi i KQZ”, vërejti Sefa.

Ndërkohë që përfaqësuesi i Partisë së Lirisë, Kaziaj e argumentoi kërkesën e tyre se nuk ndikon pasi sipas tij votohet programi.

“Nuk do të thotë që zgjedhjet i fiton kryetari i një partie politike por forca dhe programi që i fiton zgjedhjet. Nuk duam ne të mburremi me emrat e kryetarëve të partisë. Nuk duam ta bëjmë show politik një fletë votimi por do ta bëjmë fletën ku votuesi të drejtohet nga ligji dhe jo nga emri i kryetarit i partisë”, shtoi Kaziaj.

Ndërsa përfaqësuesi i Partisë Socialiste në KQZ, Eridjan Salianji deklaroi se nëpërmjet fletës së votimit Partia e Lirisë që kërkon fletë pa emër Kryetari Koalicioni dhe pa logo “nëpërmjet kësaj flete po fshihet mbas gishtit duke çuar votuesit në çadrën e Shtëpisë së Lirisë”.

Në përgjigje të deklaratave të përfaqësuesve politikë, Komisioneri Celibashi, duke argumentuar vendimin e tij, tha se principi kryesor në ligj kur bëhet fjalë për është qartësia e votuesve për të bërë zgjedhjen e tyre. Sipas tij e gjitha kjo varet nga dëshira e koalicionit vetë nëse do apo jo.

“Dhe ajo çka e bën legjitime kërkesën e çdo subjekti zgjedhor në lidhje me fletën e votimit është qartësia e të dhënave të tij ashtu siç duhet të jenë dhe të qarta për votuesit. Dhe e dyta nëse të dhënat e një subjekti tjetër janë të tilla që konfondojnë votuesit në lidhje me subjektin. Nuk ka asnjë urdhërim të vendosjes së emrit të kryetarit të koalicionit”, kujtoi Celibashi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore