Lajme

KQZ certifikon 90 subjekte politike per zgjedhjet lokale


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e certifikimit të kandidatëve dhe subjekte politike. Në mbledhjen e të shtunës, KQZ ka certifikuar dhjetëra subjekte politike dhe mijëra kandidatë.

Numri i përgjithshëm i subjekteve politike të certifikuara është 90, prej të cilave 32 parti politike, 34 iniciativa qytetare, 1 koalicion dhe 23 kandidatë të pavarur.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të garojë në 27 komuna për kryetar dhe me 841 kandidatë për kuvende të ndryshme komunale.

Partia Demokratike e Kosovës do të garojë në 29 komuna për kryetar dhe me 875 kandidatë për kuvende të ndryshme komunale.

Lëvizja Vetëvendosje do të garojë në 28 komuna për kryetar dhe me 933 kandidatë për kuvende të ndryshme komunale.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të garojë në 21 komuna për kryetar dhe me 700 kandidatë për kuvende të ndryshme komunale.

Nisma Socialdemokrate do të garojë në 6 komuna për kryetar komune dhe me 289 kandidatë për kuvende të ndryshme komunale.

Aleanca Kosova e Re do të garojë në 2 komuna për kryetar komune dhe me 259 kandidatë për kuvende të ndryshme komunale.

Në mbledhjen e mbajtur të enjten, KQZ ka certifikuar 48 subjekte politike prej të cilave 18 parti politike, 1 koalicion, 17 iniciativa qytetare dhe 15 kandidatë të pavarur.

Po ashtu, zgjedhjet lokale që do të mbahen me 17 tetor të këtij viti, kanë një periudhë prej 30 ditësh për fushatën zgjedhore të subjekteve politike.

Afati i fushatave zgjedhore do të fillojë me 16 shtator dhe do të zgjasë deri më 15 tetor, mirëpo shkaku i pandemisë COVID-19 ende nuk dihet se si do të zhvillohen këto fushata zgjedhore nga partitë politike.

Për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej tyre, 32 parti, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar është 4 mijë e 920, prej tyre 165 për kryetarë komunash dhe 4 mijë e 757 për kuvende komunale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore