Lajme

KOSTT-i konfirmon se Kosova ka tregtuar rrymë nga GEN-I në Beograd, kompania që paguante Martin Berishajn


Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Gjatë raportimit në Komisionin Hetimor është konfirmuar se Kosova ka tregtuar energji elektrike me kompaninë GEN-I dega në Beograd, kompani kjo e cila e paguante Martin Berishajn, ambasadorin e Kosovës në Kroaci, si konsulent.

Këtë e ka konfirmuar kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it, Jeton Mehmeti.

“Emrat e tregtarëve që Kosova ka tregtuar energji elektrike në periudhën e fundit janë: GEN, Tirana shpk dhe KESh”.

I pyetur nga deputeti Ferat Shala për shtetet që Kosova tregton rrymë, Mehmeti nuk ka pranuar të përmend emrat e shteteve.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe ish-ministri i Energjisë dhe Minierave gjatë periudhës 2006-2008, Ethem Çeku, i cili u shpreh se sektori i energjisë ka pasur shumë zhvillime dramatike.

“Ne nuk e kemi mbështetur, edhe sot nuk e mbështes dhe është gabim që nuk i kemi rehabilituar dhe me 50 milionë mund të bëhej rehabilitimi i Kosovës A dhe të mos kishim sot këso telashesh”, tha ai.

Komisioni Hetimor Parlamentar.

Sipas tij, problemi kryesor në kohën sa ishte ministër ka qenë se çka të bëhet me Kosovën A, dhe se kishte ide që për Kosovën A të merret një ekskavator i madh e të bëhej rrafsh sepse po e ndot mjedisin, por që këtë ide “nuk e kanë mbështetur”.

Ndërsa, ish-kryetari i Bordit të KEK-ut për periudhën 2006-2008 , Fatmir Rexhepi, konsideron se nëse Ethem Çeku nuk ka arritur ta bëjë termocentralin C askush nuk do të mund ta ndërtojë atë.

“Besoj se në vitin 2008 ka mundur të bëhej tenderimi dhe të e përfundojmë deri në 2015, 1000 megavat dhe pastaj pjesa tjetër dhe krejt kjo është bërë me qëllim qe Kosova të importojë energji. Kundërshtimi që e kemi pasur ka qenë shoqëror”.

“Përgatitjet që ka bërë ministria në kohën e Ethem Çekut nëse ai nuk ka ndërtuar termocentral në Kosovë askush nuk do të mund ta ndërtoj. Nuk është dashur me pengu ndërtimin e termocentralit C. Sa i përket vendimmarrjes ka qenë kolegiale, kemi qenë katër anëtar dhe me votë”, deklaroi ai në Komision.

Ndryshe, ambasadori i Kosovës në Kraoci, Martin Berishaj, i cili po hetohet për mosdeklarim të pasurisë dhe u përfol për përfshirje në një skandal financiar në Slloveni, do të ftohet për raportim nga Komisioni Parlamentar për Energjinë Elektrike, në këtë sesion vjeshtor.

“Ende nuk kemi caktuar datë”, kishte thënë Driton Selmanaj, kryetar i këtij grupi parlamentar për Albanian Post duke shtuar se “me shumë gjasë pas 15 tetorit”.

Skandali në të cilin u përfshi Berishaj ka të bëjë me kompaninë sllovene të Energjisë Elektrike GEN-I, dega në Beograd, kompani nga e cila Kosova ka blerë rrymë, prandaj ambasadori do të intervistohet për të kuptuar nëse ai di diçka më shumë rreth kësaj çështje.

Komisioni i formuar është duke hetuar se çfarë ndodhi me blerjen e energjisë elektrike dimrin që shkoi dhe a mos eventualisht pati keqpërdorime. Siç dihet nga publikimet për Berishajn, ai kishte një kompani fiktive në Mal të Zi me emrin MB Consulting dhe në këtë kompani kishte pranuar në pagesa nga GEN-I, dega në Beograd, rreth 600 mijë euro.Këto para ia paguanin Berishajt, si konsulent i kësaj kompanie për tregtim energjie elektrike në Kosovë, Shqipëri e rajon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore