Lajme

Kosovë: Taksistët e aeroportit në rrezik për jetë


Taksitë të cilët punojnë brenda hapësirës së aeroportit “Adem Jashari”, janë të rrezikuar me jetë nga taksistët ilegal.

Sipas tyre institucionet e rendit nuk kanë marrë asnjë veprim, përkundër faktit që janë taksapagues të aeroportit dhe komunës së Lipjanit.

Kjo situatë u bë shkak i protestës, në shenjë pakënaqësie për mos krijimin e kushteve të punës, ku morën pjesë përafërsisht 100 auto-taksi.

Përfaqësuesi i bordit të drejtorëve të shoqërisë aksionare ‘Ulpiana” SH.P.K, Meqan Balaj, tha se janë të rrezikuar nga persona që futen dhe punojnë ilegalisht në aeroport.

“Jo më shumë se para dy ditësh është plagosur taksisti ynë me thikë nga një taksist ilegal duke mbrojtur të drejtën e vet. Taksistët ilegal janë bërë agresiv, të cilët sulmojnë fizikisht taksistët tanë. Policia nuk ka marrë asnjë hap, shteti nuk ka vënë drejtësi”, është shprehur Balaj.

Përveç sigurisë, Balaj po akuzoi aeroportin, për vjedhje dhe zhvatje të taksive.

“Na vjedhin taksitë ilegal dhe na kërcënojnë jetën. Na vjedh aeroporti në mënyrë arbitrare ose në mënyrë të imponuar. Pra, ose të paguani nga 60 euro secili taksistë ose nuk futeni fare në parking”.

“Faktikisht ne e shfrytëzojmë parkingun 15 ditë dhe si shoqëri aksionare që kemi kontratë me aeroportin ne e shfrytëzojmë parkingun me 50 taksi paguajmë me 6 mijë euro në muaj. Kështu që kjo është zhvatje e madhe për xhepin e secilit taksist. Mezi arrijmë të sigurojmë bukën e gojës”, deklaroj ai.

Drejtues të sindikatës së Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, theksuan po ashtu se dy muaj më parë i kanë adresuar kërkesat e tyre në policinë e aeroportit, por që deri tash nuk është marrë asnjë veprim.

Në përkrahje të protestës ishte edhe Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës(SPSPK) në bashkëpunim me Shoqatën Sindikale të Auto-Taksive që operojnë në aeroportin “Adem Jashari”.

Azemi tha se meqë organet shtetërore nuk po krijojnë kushte për auto-taksitë e aeroportit, atyre po i’u imponohet të marrin situatën vet në dorë për konfrontim me ilegalët, ani se nuk është ligjore.

“Është marrë vendim meqë institucionet shtetërore nuk po krijojnë kushte për auto-taksitë e aeroportit, është marr vendim që pas pesë ditësh një grup i auto taksive do të punojnë dhe grupi tjetër do të ruajnë ambientin ose do të ballafaqohen me auto-taksitë ilegal”.

“Kjo do të thotë që auto-taksitë do të konfrontohen në mënyrë fizike për shkak të mos intervenimit të shtetit. Është një vendim jo i mirë, por megjithatë është i imponuar. Për këtë problem janë të njoftuar që nga ministri i Punëve të Brendshme e deri te komuna Lipjanit dhe të gjitha institucionet. Nuk ka lëvizje dhe tanimë auto-taksitë do ta marrin situatën në dorën e vet sa do që nuk është ligjore”, është shprehur Azemi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore