Lajme

Kosovë: S’ka regjistrim të popullsisë para vitit 2023


Sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Deri në prill të 2023 nuk do të ketë proces të regjistrimit të popullsisë të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe banesat dhe ekonomitë familjare.

Këtë e ka bërë të ditur për agjencinë e lajmeve KosovaPress, drejtori për statistika i popullsisë në Agjenci të Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati.

“Në bazë të ligjit që është aprovuar javën e kaluar në Kuvend, është i përcaktuar një nen që e bënë të qartë se regjistrimi i popullsisë bëhet 9 muaj pasi të hynë në fuqi ky ligj. Edhe ne shpresojmë që vitin e ardhshëm, në pranverë të bëhet regjistrimi në terren dhe njëkohësisht të publikohen të dhënat preliminare, kryesore ashtu siç janë të parapara në ligj”.

Kastrati, tutje sqaron se do të diskutohet me Qeverinë së shpejti për të vendosur datën e regjistrimit të popullsisë.

“Rekomandimet ndërkombëtare thonë që të realizohet regjistrimi sikur që është bërë herën e fundit, në prill 2011 që do të ishte optimale prilli. Por, ka sfida, edhe prilli i vitit të ardhshëm ka sfida. Ne këto ditë do të diskutojmë me Qeverinë për me marrë vendim për datën e regjistrimit të popullsisë”, thekson ai.

Ndërkaq për këtë ka thënë se ekzekutivit do t’i dorëzohen disa propozime.

“Ne do t’i dërgojmë dy tre propozime për datën se si, secila ka përparësi dhe mangësi, dhe në diskutim me qeverinë do të shikojmë se cila është më optimale, por gjithsesi se unë mendoj do të jetë prapë pranvera e vitit të ardhshëm”.

Sipas tij, numri i popullsisë ka shënuar rënie.

“Ka rënë numri i popullsisë, aktualisht në Kosovë krahasuar më 2011 jemi më pak. Edhe regjistrimi do të në tregojë. Nuk jemi të saktë me numra, por në bazë të raporteve tona zyrtare, është 1 milion e 770 mijë, kështu që është pak më i ulët, disa mijë më pakë se në 2011, por në realitet është më i vogël”.

“Shkaktar mbetet në rënie emigracioni, por edhe faktor tjerë janë shkalla e ulët e lindshmërisë dhe rritja e vdekshmërisë”, deklaroi Kastrati.

Gjatë regjistrimit është thënë se do të jenë aktiv në terren rreth 3 mijë regjistrues, por që do të ketë edhe një numër rezervë.

Sipas të dhënave të ASK-së nga regjistrimi i fundit i popullsisë i bërë në vitin 2011 numri i banorëve ka qenë 1 milionë e 820 mijë e 631 banorë.

ASK në shtator të 2021 kishte kërkuar që regjistrimi i popullsisë të shtyhet për muajin prill të vitit 2022, por që as në këtë pranverë nuk ndodhi kjo për shkak të zgjedhjeve lokale dhe pandemisë COVID-19.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), kishte organizuar debat publik në lidhje me projektligjin e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë.

Në debat ishte thënë se “regjistrimi i popullsisë për vitin 2022, ndryshe nga herat e tjera, do të jetë më cilësor”.

Sipas kësaj agjencie, rreth 960 milionë të dhëna pritet të regjistrohen në databazë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore