Lajme

Kosovë: Shpallet gjendje emergjente në Deçan, mbi një mijë të helmuar


Komuna e Deçanit në Kosovë

Komuna e Deçanit në Kosovë ka shpallur gjendje emergjente në gjithë territorin e Komunës së Deçanit, pas qindra rasteve të qytetarëve që janë helmuar nga uji i pijshëm.

Në vendimin që e ka marrë kjo komunë thuhet se “obligohen të gjitha institucionet e nivelit lokal për ngritjen e gatishmërisë për menaxhimin e kësaj situate emergjente të ndodhur pas helmimit të fundit”.

Nezir Lushaj, kryeinfermier në Emergjencën e Deçanit në një prononcim për Albanian Post, ka thënë se numri i të helmuarve ka kaluar shifrën mbi një mijë.

“Për 24 orët e fundit, gjendja është rënduar edhe më shumë. Numri i të helmuarve ka kaluar shifrën mbi një mijë, rreth një mijë e 200”, ka thënë Lushaj.

Sipas tij, gjatë kësaj kohe janë përfshirë të gjitha fshatrat e Deçanit.

Po ashtu, në vendimin e Komunës së Deçanit thuhet se drejtoritë, si ajo e Shëndetësisë, e Financave, Drejtoria për Mbrojtje, Njësia e Zjarrfikëse, Inspekcioni, QKMF-ja, si dhe KRU Hidrodrini e NPL Higjiena janë të obliguar të punojnë me kapacitete të plota njerëzore dhe humane, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të komunës së Deçanit.

Ky vendim vjen pasi Prokuroria Themelore e Pejës ka nisur hetime dhe ka kërkuar kryerjen e obduksioneve për dy persona të vdekur gjatë 24 orëve të fundit nga komuna e Deçanit, për shkak të situatës me helmimet e fundit të raportuara në këtë komunë.

Vendimi i Komunës së Deçanit për shpalljen emergjente, shkak helmimi i qytetarëve nga uji i pijshëm.

Prokuroria Themelore e Pejës ka njoftuar për dy raste të vdekjes së dyshimtë për shkak të situatës së krijuar në komunën e Deçanit, ku dyshohet se 800 persona janë infektuar nga uji i pijshëm.

Për Albanian Post këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

“Gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit. Për shkak të situatës së krijuar në atë rajon, Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obduksion në Institutin Mjeko-Ligjor (IML), për të kuptuar më shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre”, është shprehur Nikçi.

Ndryshe, rreth 800 qytetarë të Komunës së Deçanit, që nga e shtuna kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të disa simptomave të helmimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore