Kosova

Kosovë: Shkalla e punësimit të grave mbetet e ulët në krahasim me burrat


Instituti për Studime të Avancuara (GAP), përmes raportit të katërt vjetor të publikuar në faqen zyrtare, synon të theksojë pjesëmarrjen e grave në tregun e punës.

Bazuar në statistikat e këtij raporti, pjesëmarrja e grave në tregun e punës, mbetet e ulët. Vetëm 21 për qind e grave në moshë pune janë aktive në tregun e punës.

Sipas raportit të GAP, shkalla e punësimit te gratë në vitin 2020 ishte vetëm 14.4 për qind ndërsa te burrat 46.2 për qind. Kurse sa i përket shkallës së papunësisë te gratë që përfshin vetëm personat të cilët kërkojnë punë ishte 33.1 për qind ndërsa te burrat 21.5 për qind.

Në anën tjetër, edhe në këtë vit interesimi i grave për të gjetur një vend pune është gati i të njëjtit nivel me atë të burrave.

“Numri i grave punëkërkuese të regjistruara në Agjencinë e Punësimit në vitin 2020 ishte 90 mijë e 677, kurse numri i burrave punëkërkues të regjistruar në këtë agjenci ishte 109 mijë e 900”, vijon njoftimi.

Pandemia COVID-19 dhe ndërrimi i dy qeverive brenda vitit 2020, kanë ndikuar në aspektin e punësimit dhe përfaqësimit të grave në Kosovë.

“Tek pozitat kyçe në qeveri, gjatë vitit 2020, Qeveria Kurti kishte emëruar gra në 21% të pozitave ndërsa Qeveria Hoti 14%”.

Tutje thuhet se në pozitat drejtuese, shërbimin civil dhe stafin akademik, gratë kanë mbajtur rreth një të tretën e pozitave edhe në vitin 2020. Ndërsa në administratën komunale të disa komunave, sidomos atyre të volga, vetëm çdo i pesti vend i punës mbahet nga gratë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore