Lajme

Kosovë: Qeveria miraton koncept-dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme


Koncept dokumenti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, tashmë ka marrë dritën e gjelbër nga Qeveria e Kosovës.

Në mbledhjen e mbajtur të martën ky dokument është miratuar, njofton zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu, në konferencën e përbashkët me Ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

“Ne sapo kemi miratuar koncept dokumentin i cili u hap rrugë draftimit të ligjit të veçantë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, ky koncept-dokument adreson nevojën e draftimit të këtij projektligji për shkak se “bazat ligjore deri më tani nuk kanë qenë efikase në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Haxhiu ka thënë se kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së vullnetit për brenda institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë dhe për shkak se “aktualisht duhet të hetohesh për një vepër penale, të gjykohesh e dënohesh dhe pastaj të nisin procedurat e konfiskimit të pasurisë”.

Prandaj ajo theksoi se “këtu institucionet e vendit kanë dështuar”.

Me ligjin për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale i cili ka hyrë në fuqi para dy viteve, Haxhiu thotë se “ende nuk mund të thuhet që i njëjti ka arritur të zbatohet ndaj të paktën një personi, prandaj ka qenë edhe alarm për qeverinë që menjëherë të adresojmë pengesat në këtë drejtim në mënyrë që të luftohet korrupsioni, të konfiskohet pasuria e pajustifikueshme dhe të hapet rruga e zhvillimit ekonomik të vendit”.

Sipas Haxhiut, ky koncept dokument përveç projektligjit ku barrën e vendosë te personi që dyshohet, e hap po ashtu edhe rrugën e themelimit të një institucioni apo mekanizmi me përbërje të profesionistëve që do të ketë për mandat implementimin e të njëjtit.

Ndërsa sa i përket projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e kodit të procedurës penale, Haxhiu ka treguar se javën e kaluar ka pasur një takim me prokurorët special, ku është shprehur nevoja për disa ndryshime urgjente në kodin e procedurës penale që kanë të bëjnë me heqjen e pengesave për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës.

“Ky ndryshim i propozuar në qeveri ka për qëllim që Prokuroia Speciale të hetojë krimet e luftës duke e mundësuar edhe gjykimin në mungesë për krimet e luftës që ka hyrë në fuqi kohë më parë por që ende ka mbetur i pazbatuar për shkak të disa pengesave që Prokuroria Speciale i ka konsideruar që ekzistojnë në atë ndryshim”, u shpreh ajo.

Ajo tutje ka sqaruar se që të shpallet një person që të gjykohet në mungesë duhet së paku pesë herë të kërkohet në shtetin ku supozohet ku është dhe duke marrë parasysh që Serbia asnjëherë nuk ka bashkëpunuar me Kosovën për t’i dorëzuar kriminelët e luftës, Prokuroria Speciale ka konsideruar që kjo është shumë e vështirë e arritshme për tu aplikuar.

“Prandaj e kemi larguar kufizimin pesë herë dhe e kemi lënë vetëm adresimin që në qoftë se një bashkëpunim i tillë nuk ka funksionuar i hap rrugën prokurorisë që të nis hetimet pastaj edhe gjykimin në mungesë”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka treguar se gjatë mbledhjes “u votua edhe vendimi për themelimin e strukturave koordinuese ndërinstitucionale për procesin e integrimit evropian pranë zyrës së Kryeministrit të Kosovës ku përmes këtyre strukturave kemi treguar që kemi prioritet integrimin evropian përmes adresimit të reformave të brendshme”.

Vendimi tjetër i radhës ishte edhe nisma për negocimin e marrëveshjes së amendamentimit të numër një të marrëveshjes kornizë të kredisë me bankën zhvillimore të Këshillit Evropian, për financimin e projektit, reagimi emergjent ndaj COVID-19.

“Përmes këtij vendimi tash e tutje do të kemi qasje në 25 milionë euro të cilat do të vihen në shërbim të mjekësisë”, shtoi ai.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore