Lajme

Kosovë: PDK-ja e pakënaqur me rishikimin e buxhetit, s’voton marrëveshjet ndërkombëtare


Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka thënë se buxheti i miratuar në seancën plenare në rishikim, nuk i plotëson kërkesat e qytetarëve, dhe as pikat e programit të partisë në pushtet, duke shtuar se PDK nuk do të marrë pjesë në seancën ku do të miratohen katër marrëveshjet ndërkombëtare.

Deliu në një konferencë për media ka theksuar se përmes këtij rishikimi po rritet edhe borxhi publik, dhe sipas saj një gjë e tillë është rrezik për qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e përgjithshëm shoqëror e shtetëror.

“Kemi parë që ka një tendencë për diskriminim të komunave ku nuk qeverisë LVV, vërehet se në rishikimin e buxhetit në ato komuna ku nuk qeverisë LVV vërehet një diskriminim i qartë dhe tendencë që ky buxhet të orientohet dhe të jetë së pari qëndrim që të destinohet për fushatën e zgjedhjeve lokale. E kemi parë edhe një tendencë të keqpërdorimit të parasë publike, fjala është për tiketën ngjitëse e cila kushtonte 5 euro”, ka thënë Deliu.

Sipas deputetes Deliu, gjatë rishikimit të buxhetit, pushteti nuk ka ofruar fare bashkëpunim në mënyrë që të adresohen qartë këto kërkesa,

“Nuk kemi parë këtë bashkëpunim për të adresuar edhe shqetësimet edhe amandamentet që i kanë deputetët lidhur me këtë rishikim”, shtoi ajo.

Në anën tjetër, Deliu ka potencuar se “nëse i referohemi raportit të departamentit amerikan të shtetit lidhur me klimën e investimeve gjatë vitit 2021, Kosova vazhdon të jetë një ndër vendet më të varfra në Evropë dhe niveli i papunësisë në Kosovë mbetet kryesisht shqetësim i madh”.

Po ashtu, ajo ka deklaruar se shpenzimet për paga e mëditje për mallra e shërbime “rriten në mënyrë të pa shpjegueshme dhe të pa arsyeshme, e dini që qeveria Kurti ka ndarë 50 milionë euro më shumë për zyrtarët politik të saj e luksin e tyre ndërkohë që shqyrtoi dhe shkurtoi shpenzimet kapitale për 72.8 milionë euro apo 12 për qind më pak sa ishte paraparë”.

“Një parti e cila premton drejtësi e barazi për qytetarët e saj privilegjon vetëm ata që janë super strukturë në kurriz dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës, pra 50 milionë euro më shumë për vete dhe 73 milionë më pak për qytetarët, dhe për këtë arsye PDK nuk e ka votuar këtë rishikim të buxhetit”.

Në anën tjetër, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës kur në rend dite ishte votimi i katër marrëveshjeve ndërkombëtare. Ndërsa deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk ishin prezentë në seancë.

Ndërkohë me 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës, gjatë seancës plenare të së mërkurës kanë miratuar shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore